Trafiku ajror në hapësirën ajrore shqiptare është pezulluar përkohësisht rreth orës 17:30, për shkak të një problemi teknik të dyshuar në sistemin e radarëve të Albcontrol.
Për arsye sigurie, për disa minuta është ndaluar qarkullimi i avionëve në hapësirën ajrore të vendit, duke përfshirë si ngritjet dhe uljet në aeroportin e Rinasit.
Masa është marrë deri në rikthimin e funksionimit normal të sistemeve të monitorimit dhe kontrollit të trafikut ajror.
Sipas Albcontrol, ekspertët morën menjëherë masat për të shmangur çdo rrezik për avionët dhe nisën punën për rikthimin e sistemeve. Rreth orës 18:00, 90% e sistemeve ishin rikthyer në funksion normal, ndërsa po punohet edhe për pjesën e mbetur.
Albcontrol thotë se reagimi në kohë dhe profesionalizmi i ekipeve bënë të mundur shmangien e bllokimit të trafikut ajror në hapësirën shqiptare.
