Një ndërtim pa leje në Qeparo ka sjellë masa të menjëhershme në Bashkinë e Himarës. Kryetari i Bashkisë, Vangjel Tavo, ka urdhëruar sot, më 10 gusht, shkrirjen e Drejtorisë së Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), pas zbulimit të një objekti 5-katësh që po ndërtohej pa leje në zonën e “Sugës”.
Vendimi është marrë në një kohë kur ndaj strukturave përgjegjëse për kontrollin e territorit janë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si një ndërtim i përmasave të tilla ka mundur të vijojë pa u konstatuar dhe ndaluar në kohë.
Pas konstatimit të rastit, gjashtë punonjës të IMT-së Himarë, përfshirë drejtues dhe inspektorë, janë shkarkuar nga detyra. Ndërkohë, çështja është referuar në Prokurori për hetime të mëtejshme.
Objekti i konstatuar në Qeparo është 5-katësh, me një kat nëntokë, dhe ishte ende në proces ndërtimi kur u evidentua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë gjatë kontrolleve në terren.
Për ndërtimin pa leje, policia ka arrestuar në flagrancë pronarin e objektit, një 39-vjeçar banues në Tiranë. Në të njëjtën kohë, tre punonjës të IMT-së Himarë, kryeinspektori dhe dy inspektorë, janë shpallur në kërkim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Hetimi pritet të përqendrohet edhe te mënyra se si punimet kanë mundur të vijojnë deri në ndërtimin e një objekti me përmasa të konsiderueshme, pa u evidentuar nga strukturat përgjegjëse.
