Qëndrimi i Zelenskyt për Kosovën nxit reagime të ashpra, politikani ukrainas: Pështymë në fytyrën e një vendi mik

Deklarata e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Beograd, se qëndrimi i Kievit zyrtar për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar, ka nxitur reagime të ashpra brenda vetë Ukrainës. Politikani, veterani i luftës dhe bashkëthemeluesi i lëvizjes “Sëpata Demokratike”, Yuriy Hudymenko, e ka cilësuar këtë qëndrim si një vendim “shpëlarës dhe turpërues”.

Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, Hudymenko ka shprehur keqardhjen e tij për deklaratën e kreut të shtetit ukrainas, duke vënë në pah ndihmën që Kosova i ka ofruar Ukrainës që nga fillimi i agresionit rus.

“Duket se para udhëtimit në Serbi, Presidenti Zelensky zgjodhi mes ‘të lehtës, por jomorales’ dhe ‘të vështirës, por së drejtës’, dhe bëri atë zgjedhje të cilën unë, si qytetar, e shoh si neveritëse dhe turpëruese. Sa shumë ka mundur Kosova t’i ndihmojë ukrainasit, ushtarakët dhe shpëtimtarët tanë, madje pa pasur as ushtrinë e saj. Veteranët e Kosovës komunikuan me veteranët tanë dhe i ndihmuan ata. Banorët e thjeshtë të Kosovës ndihmuan refugjatët dhe personat e zhvendosur”, ka shkruar Hudymenko.

Ai ka artikuluar kritikën e tij ndaj udhëheqësisë ukrainase për injorimin e kësaj mbështetjeje në shkëmbim të afërsisë me Beogradin zyrtar.

“Dhe ne – për shkak të presidentit – u pështymë në fytyrë atyre, duke deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë, ‘vëllait të vogël të Rusisë’. Ndoshta diçka e rëndësishme ka mbetur jashtë kuadrit. Por në çdo rast, edhe pa këtë, mund të bënim pa i dhënë një shuplakë një vendi të vogël, por mik, që na ndihmoi në çdo mënyrë që mundi”, është shprehur tutje ai.

Në përmbyllje të reagimit të tij, politikani ukrainas u është drejtuar drejtpërdrejt qytetarëve të Kosovës, duke nëvizuar se qëndrimi i presidentit nuk përfaqëson domosdoshmërisht të gjithë popullin ukrainas.

“Shpresoj se miqtë e mi nga Kosova e kuptojnë se fjalët e presidentit nuk janë gjithmonë opinioni i të gjithë vendit. Një ndjenjë e neveritshme”, ka përfunduar Hudymenko.

Stata e re diplomatike e krijuar nga deklarata e Zelenskyt erdhi pasi ai, gjatë qëndrimit në Serbi, konfirmoi se Kievi nuk e ndryshon pozicionin e tij karshi sovranitetit të Serbisë, duke e ndërlidhur këtë me respektimin e integritetit territorial të vetë Ukrainës, përfshirë gadishullin e Krimesë.

“Prandaj, qëndrimi ynë lidhur me atë që përmendët – shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës – mbetet i pandryshuar”, pati deklaruar Zelensky.

Kjo deklaratë ka nxitur reagime të menjëhershme edhe në Kosovë. Në shenjë proteste administrative dhe politike, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka urdhëruar largimin e banderolës me mbishkrimin “Free Ukraine” nga hapësirat publike të kryeqytetit.

Rama ka potencuar se mbështetja popullore dhe empatia për popullin e Ukrainës mbetet e palëkundur, mirëpo shtetësia e Kosovës duhet të respektohet nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë.

“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, Kryeqyteti Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë. Empatia dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë e persekutim. Sepse ne, më mirë se shumë të tjerë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet. Por asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, ka deklaruar Rama.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME