Mustafa kritikon Ramën: Po eksperimenton me qytetarët, pas tre vjetësh i mbledh plaçkat për Londër

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, ka kritikuar vendimin për ngushtimin e rrugës “Ilir Konushevci”, pranë Xhamisë së Llapit në Prishtinë.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Mustafa e ka cilësuar këtë ndërhyrje si një “eksperiment” që, sipas tij, po bëhet në dëm të banorëve, bizneseve dhe qytetarëve.

Mustafa ka thënë se kjo rrugë është një prej arterieve kryesore që lidh Prishtinën me Llapin dhe Gollakun, duke kujtuar se gjatë kohës kur Nazmi Mustafa ishte kryetar i Prishtinës, rruga ishte zgjeruar në 12 metra.

Sipas tij, banorët kanë të drejtë ta kundërshtojnë projektin, pasi konsideron se ai nuk merr parasysh interesat e tyre dhe të bizneseve që operojnë në këtë zonë.

“Banorët kanë të drejtë të protestojnë dhe ta kundërshtojnë, sepse besoj që është një vendim arbitrar, i cili nuk respekton interesat e banorëve, të bizneseve të vogla dhe të qytetarëve të Kosovës. Udhëheqja e Prishtinës nuk ka të drejtë që në këto forma të eksperimentojë me qytetarët”, ka thënë Mustafa.

Ish-kryeministri ka përmendur edhe lidhjen e tij personale me këtë zonë, duke thënë se ka jetuar aty për më shumë se 60 vjet.

Ai ka kritikuar drejtuesit aktualë të Komunës së Prishtinës, duke pretenduar se pasojat e vendimeve të tyre do t’u mbeten qytetarëve.

“Kam banuar aty mbi 60 vjet; këta që po bëjnë eksperimente, jetojnë edhe tre vjet në Prishtinë, i mbledhin plaçkat për Londër, ndërsa me fantazitë dhe papërgjegjësinë e tyre i lënë të bllokuar banorët”, ka shkruar Mustafa.

Reagimi i Mustafës vjen pas ndërhyrjeve në rrugën “Ilir Konushevci”, të cilat kanë nxitur reagime lidhur me organizimin e qarkullimit dhe hapësirën rrugore në këtë pjesë të kryeqytetit.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME