Kryeministri Albin Kurti ka dalë me një video në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit ku pati kritika për qeverisjen deri kur ai mori mandatin dhe lëvdata për punën e Qeverisë në luftimin e korrupsionit.
Kurti tha se korrupsioni e ka përcjellë shoqërinë kosovare për vite me radhë, “si pasojë e keqqeverisjes, mentalitetit të shëmtuar përfitues dhe idesë së shtrembur që e konsideron shtetin si arkë për pasuri personale e jo për mirëqenie kolektive”.
Ndërkaq, ai u zotua se do të vazhdojnë luftën ndaj korrupsionit, ndërsa tha se po pengohet nga opozita me dërgimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese.
Deklarata e plotë:
2 vite e 9 muaj më parë, kemi filluar rrugëtimin e përbashkët drejt qeverisjes së mirë, luftimit të korrupsionit dhe vendosjes së rendit dhe ligjit.
2 vite e 9 muaj më parë, kur ka rilindur shpresa për një të ardhme më të mirë, kemi bashkuar forcat që të ngrejmë kulturën e integritetit në institucione, përmirësojmë mirëqenien, fuqizojmë pozitën e gruas në shoqëri dhe ruajmë paranë publike nga keqpërdorimi.
Jemi zotuar për investime të mençura e projekte zhvillimore. Kemi rritur buxhetin për 35%, kemi zvogëluar dëmet në minimum dhe kemi raportuar krimin e korrupsionin që e kemi gjetur.
Sot ju drejtohem të gjithëve pa dallim, për të adresuar një çështje të rëndësisë madhore e që ka përcjellë shoqërinë tonë për vite me radhë, si pasojë e keqqeverisjes, mentalitetit të shëmtuar përfitues dhe idesë së shtrembur që e konsideron shtetin si arkë për pasuri personale e jo për mirëqenie kolektive. Pra: korrupsionin.
Sot, në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, dua të theksoj rëndësinë e luftimit të korrupsionit, duke përkujtuar pasojat që të gjithë kemi ndier për vite me radhë, e që rezultuan me varfëri të skajshme në dobi të pasurimit të individëve e grupeve të interesit.
Nga ryshfeti deri te nepotizmi, kemi qenë dëshmitarë të të gjithave – efektit koroziv në menaxhimin e financave publike, dëmtimit të cilësisë e sasisë të shërbimeve, regresit ekonomik e deri te humbja e besimit në institucionet e shtetit.
Oligarkët e duan shtetin si anije tregtare e jo si republikë demokratike: ata që kanë më shumë mall përcaktojnë drejtimin e anijes. Me qeverisjen tonë progresiste Kosova e pavarur është republikë demokratike dhe jo anije tregtare.
Gjakderdhja financiare, skamja e shërbimeve institucionale, keqmenaxhimi i parasë publike e krimi brenda organeve shtetërore e të qeverisë kanë marrë fund. Me përkushtim, duke vendosur dinjitetin mbi çdo gjë, kemi nisur luftimin e korrupsionit nga brenda për ta shtrirë mbi çdo segment të shoqërisë tonë.
Në fillim të qeverisjes jemi ngritur për 20 vende në Indeksin e matjes së perceptimit të korrupsionit të Transparency International. Nën udhëheqjen tonë janë kryer mbi 1100 operacione policore kundër krimit ekonomik e korrupsionit. Mbi 4000 persona janë arestuar, prej të cilëve mbi 300 zyrtarë shtetërorë. Kemi shkatërruar 103 grupe kriminale dhe konfiskuar mbi 2 ton narkotikë.
Jemi shteti më i zhvilluar në rajon për reformat e filluara në qëllim të zbatimit të sundimit të ligjit, sipas Ëorld Justice Project. Me nisjen e procesit të vetingut në sistemin gjyqësor e prokurorial kemi dëshmuar që duam dënim meritor për zyrtarët shtetërorë, qofshin ata gjyqtarë e prokurorë që nuk i shërbejnë qytetarit, e që kriminelët i dërgojnë të mbrohen nga liria kurse zyrtarët e pavarur profesional i mbajnë në paraburgim pa ngritur kurrë aktakuzë. Duam ngritje në detyrë për ata që i shërbejnë shtetit e profesionit kurse ndalim të atyre që përfitojnë në kurriz të qytetarit dhe biznesit.
Duam gjyqësor të pavarur, prokurorë efikas e gjyqtarë që veprojnë me urtësi e mençuri. Këtë do bëjmë me veting në sistemin gjyqësor, të mbështetur nga ligjet që kemi dërguar në Kuvend. Vetëm në një vit qeverisës kemi miratuar mbi 80 ligje, afat i paarritur ndonjëherë nga ndonjë qeveri paraprake.
Të dashur qytetarë,
Drejtësia mund të vonojë por kurrë të ndalohet. Partitë opozitare kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese secilin ligj që imponon reformë të pashmangshme në sistem, thua se nuk ekziston fare Komisioni Parlamentar për Legjislacion. Me punë të madhe e procese gjithëpërfshirëse kemi hartuar Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ky Ligj do prek secilin që ka përfituar në kurriz tuajin e që ka pasuruar xhepat në dëm të Republikës. Ky Ligj do bëhet dhe do zbatohet ashtu si është menduar dhe punuar. Vonimi i reformës përmes ankesave banale, sikur ishte ajo për Ligjin për Investimet e Qëndrueshme, nuk ka sesi t’i imponohet vullnetit qytetar si realitet.
Për realitetin e ri kemi vendosur së bashku 2 vite e 9 muaj më parë.
Në vazhdim të punës tonë kundër korrupsionit, në vijim do prezantojmë edhe Strategjinë shtetërore kundër korrupsionit – vizionin e Qeverisë tonë për vendosje të rendit dhe ligjit, ngritjes së cilësisë të administratës publike, reformimit të shëndetësisë dhe vendosjes së llogaridhënies te menaxhimi i parasë publike. Ju ftoj të gjithëve të na bashkëngjiteni në këtë udhëtim të përbashkët, proces gjithëpërfshirës që për herë të parë, siguron strategji për qytetarin e Republikës e jo për sirtarë të arkivave të Qeverisë. Të bëhemi të gjithë pjesë e rrugëtimit të pashmangshëm drejt së ardhmes më të ndritur.
Ju faleminderit e mirupafshim.
/GazetaSinjali/