Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) e Shteteve të Bashkuara ka publikuar një video rekrutimi në gjuhën kineze me qëllim që të tërheqë ushtarë kinezë, në atë që duket si përpjekje për ta kapitalizuar jostabilitetin e shfaqur rishtazi në Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës pas një vargu spastrimesh.
Videoja u publikua të enjten në kanalin e CIA-s në rrjetin “YouTube” dhe titullohet “Arsyeja për të ofruar ndihmë: ta shpëtojmë të ardhmen”, shkruan gazeta “The Guardian”.
Në të paraqitet një oficer fiktiv ushtarak kinez që e kontakton CIA-n, pasi zhgënjehet me udhëheqësit e tij. Një zë në video thotë: “Kjo është bota që e njoh, mbrojtja e atdheut dhe mbrojtja e popullit. Por ditë pas dite, e vërteta bëhet gjithnjë më e qartë: ai që udhëheqësit po e mbrojnë vërtet është interesi i tyre.”
Më vonë, oficeri fiktiv thotë: “Nuk mund të lejoja që marrëzia e tyre të jetë pjesë e së ardhmes së bijës sime.”
Kjo është videoja e pestë e CIA-s në gjuhën kineze në përpjekje për të rekrutuar informatorë të rinj nga tetori i vitit 2024. Drejtori i kësaj agjencie, John Ratcliffe, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se videot kanë arritur te shumë qytetarë kinezë, pavarësisht faktit se platforma “YouTube” është e bllokuar në Kinë.
si=4ZGccybvET1CaUAa&sfnsn=mo
Përdoruesit e internetit mund të sigurojnë qasje në uebfaqe të bllokuara përmes përdorimit të një softueri të specializuar për t’i shmangur kontrollet e autoriteteve kineze në internet.
Sipas raportimeve, autoritetet kineze kanë eliminuar një pjesë të madhe të rrjetit të spiunimit të CIA-s në Kinë në periudhën 2010 – 2012, duke vrarë ose duke burgosur më shumë se dhjetë burime.
Gazeta “The New York Times” ka raportuar se njëri nga ta u qëllua me armë para syve të kolegëve të tij afër një ndërtese qeveritare si paralajmërim për të tjerët që mund të kenë punuar për CIA-n.
