Shyhrete Behluli është këngëtare shumë e njohur.
U lind në fshatin Mushtisht të Therandës, ku kreu shkollimin fillor, të mesmen e kreu në Prizren, ndërsa Fakultetin Filologjik në Prishtinë.
Familja e saj ka patur një traditë muzikore, jo publike. Ajo këngës ju përkushtua me të gjitha forcat e saj, dhe kurrë s’është ndarë nga ajo, shkruan k-live.info.
Kënga u bë pjesë e jetës e saj, ajo e shoqëroi nëpër shtigjet e jetës, ajo i solli gëzime dhe nganjëherë edhe dëshpërime. Talentin e saj, i pari e zbuloi profesori i muzikës, z.Ibrahim Hamiti, i cili e përkrahu, e angazhoi që Shyhretja me të gjitha forcat t’i përkushtohet këngës.
Merita të mëdha që ajo të arrijë majat e suksesit, ka edhe rrethi familjar (babai, gjyshja) dhe rrethi shoqëror.
Paraqitjen e parë skenike e realizoi në vitin 1974, me këngën “Cuca e maleve” ku profesori i muzikës e përcillte me çiteli e ajo këndonte.
Kur publiku filloi ta përcjellë me duartrokitje, nga të cilat ushtonte e tërë salla, ajo nga gëzimi e emocini që ndjente, për një moment sikur harronte tekstin e këngës. Aty mendonte se kurrë më nuk do të merret me këngën, momente këto që ndikuan se kënga që ka një tekst dhe melodi të mirë, do jetë e dashur gjithmonë dhe do të jetojë gjatë në popull.
Si ndihmëtar në hapat e para karrieristike pat babain e saj, Xhemal Behluli, i cili qe kultivues i mirëfilltë i këngës popullore e folklorike.
Gjatë këtyre katër dekadave, ylli jonë muzikor, Shyhrete Behluli, ka realizuar me qindra bashkëpunime dhe dhjetra albume me Shkurte Fejzën, Mahmut Feratin, Remzije Osmanin, Motrat Mustafa, Shaqir Cërvadiku, Shkëlzen Jetishi, etj. Ajo ka të realizuara mbi 20 videoklipe këngësh. Janë disa bashkëpunime që do ngelen gjatë në kujtesë, ai me Sinan Hoxhën, Ponin, Ismet Pejën e Valbona Halilin, etj. Shyhretja jeton dhe vepron në Prishtinë me pesë fëmijët e saj dhe bashkëshortin. /k-live.info