1.6 C
Pristina
E martë, 20 Janar, 2026

Pensionet në Kosovë, kush duhet të paraqitet dhe cilat kategori lirohen nga obligimi?

Gjykata Supreme ka rrëzuar pjesë të një udhëzimi administrativ që u kërkonte pensionistëve të paraqiteshin periodikisht për të dëshmuar se janë gjallë, duke liruar disa kategori nga ky obligim.

“Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 4 paragraf 2, i Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS) Për Procedurat e Lajmërimit, Suspendimit nga Pagesa dhe Kthimin e Mjeteve në rastet e Keqpërdorimit të Pensioneve. Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 5 paragraf 1, 2, 3 dhe 4 i këtij Udhëzimi”, kishte njoftuar Supremja.

Por, pavarësisht këtij vendimi të Supremes në opinionin publik janë shkaktuar paqartësi se kush obligohet të paraqitet e kush jo.

E lidhur me këtë huti të krijuar, Ministria e Financave të hënën më 19 janar doli me një sqarim ku tregoi se pensionistët e kategorive kontributeve, parciale kontributeve dhe familjare nuk kanë nevojë të paraqiten në zyrat e pensioneve.

Ndërkaq pensionistët e kategorive të tjera vazhdojnë të kenë obligim për paraqitje sipas legjislacionit në fuqi.

Ndryshe sipas vendimit të Supremes dy kategoritë që duhet të paraqiten siç e parasheh neni 24 i ligjit janë pensionistët që marrin pensione bazike të moshës dhe ata që marrin pensione të parakohshme.

“Shfrytëzuesit e pensionit bazik të moshës dhe shfrytëzuesit e pensioneve të parakohshme duhet të paraqiten në zyrat e caktuara nga Ministria një herë në gjashtë muaj me dokumentet përkatëse të identifikimit”, thuhet në nenin 24 të ligjit.

Sipas statistikave të mirëqenies sociale, për tetorin e 2025-s, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në nivel vendi pension bazik marrin 164 mijë qytetarë. Ndërsa kategoritë që lirohen, sipas këtyre të dhënave, përfshijnë rreth 70 mijë.
Pensioni bazik në Kosovë është 150 euro.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME