Zohran Mamdani u betua zyrtarisht si kryebashkiaku i 112-të i qytetit të Nju Jorkut, duke hyrë në histori si kryebashkiaku i parë mysliman, i pari me origjinë nga Azia Jugore dhe më i riu që merr këtë post në më shumë se një shekull. Mamdani, 34 vjeç, emigrant nga Uganda dhe përfaqësues i krahut socialist demokrat, u betua pak pas mesnatës në një ceremoni private në stacionin historik të metrosë “Old City Hall”.
“Ky është vërtet nderi dhe privilegji i jetës sime”, u shpreh Mamdani pas betimit mbi Kuran. Ceremonia u zhvillua në prani të bashkëshortes së tij, artistes Rama Duwaji, si dhe prindërve të tij, regjisores Mira Nair dhe profesorit Mahmood Mamdani. Betimi u administrua nga Prokurorja e Përgjithshme e Nju-Jorkut, Letitia James.
Mamdani u bë i njohur gjerësisht pas fitores befasuese në primaret demokrate, duke ndërtuar fushatën mbi krizën e përballueshmërisë në një nga qytetet më të shtrenjta të SHBA-së. Programi i tij përfshin kujdes universal për fëmijët, ngrirjen e qirave për miliona banorë dhe transport publik më të shpejtë e falas.
Ai theksoi rëndësinë simbolike të vendit të betimit, duke e quajtur transportin publik shtyllë të vitalitetit të qytetit. Një ceremoni publike pritet të mbahet më vonë, me pjesëmarrjen e mijëra mbështetësve dhe figurave të njohura progresiste, ndërsa administrata e re shihet si një test për drejtimin e ardhshëm të Partisë Demokratike në nivel kombëtar.
