Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës.
“Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike nën udhëheqjen e Prokurorit Special, pas një periudhe monitorimi dhe hetimi ndër të tjera me masa të veçanta hetimore”, thotë prokuroria.
Tutje bëhet e ditur se të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar: rreth 20 mijë (20.000) euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme dhe pajisje elektronike.
Sipas informatave të siguruara, në kuadër të këtij aksioni janë arrestuar: Jovica Mitrovic, Fadil Ismajli, Shaban Terbunja, Goran Lazic, Bedri Dibrani, dhe Nexhmije Karaqi. Të njëjtët me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë.
Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale: korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.

