Prokurorët në Milano kanë hapur një hetim ndaj disa shtetasve italianë që dyshohet se i kanë paguar anëtarëve të ushtrisë serbo-boshnjake për udhëtime në Sarajevë, me qëllim që të vrisnin civilë gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit në vitet 1990.
Më shumë se 10.000 njerëz u vranë në Sarajevë nga granatimet dhe zjarri i snajperëve midis viteve 1992 dhe 1996, në atë që konsiderohet si rrethimi më i gjatë në historinë moderne, pas shpalljes së pavarësisë së Bosnjë e Hercegovinës nga Jugosllavia.
Snajperët ishin ndoshta elementi më i frikshëm i jetës nën rrethim në Sarajevë, pasi ata qëllonin njerëzit nëpër rrugë — përfshirë edhe fëmijë.
Grupet e italianëve dhe të shtetasve të tjerë të huaj, të ashtuquajtur “turistë snajperë”, dyshohet se morën pjesë në masakër pasi kishin paguar shuma të mëdha parash për ushtarët që i përkisnin ushtrisë së Radovan Karaxhiçit — ish-udhëheqësi serbo-boshnjak i cili në vitin 2016 u shpall fajtor për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit — për t’i transportuar në kodrat përreth Sarajevës, ku ata mund të qëllonin ndaj popullsisë civile për qejf.
Prokurorët e Milanos, të udhëhequr nga Alessandro Gobbi, kanë nisur një hetim me qëllim identifikimin e italianëve të përfshirë, me akuza për vrasje me dashje, të rënduar nga mizoria dhe motivet e ulëta.
Hetimi ka origjinën nga një kallëzim ligjor i paraqitur nga Ezio Gavazzeni, një shkrimtar me bazë në Milano, i cili ka mbledhur dëshmi mbi akuzat, si dhe nga një raport i dërguar prokurorisë nga ish-kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariç.
Gavazzeni tha se për herë të parë kishte lexuar raportime për të ashtuquajturit “turistë snajperë” në shtypin italian në vitet 1990, por vetëm pasi pa dokumentarin Sarajevo Safari të vitit 2022 nga regjisori slloven Miran Zupaniç, filloi të hetonte më tej.
Në dokumentar, një ish-ushtar serb dhe një kontraktor pohojnë se grupe perëndimorësh qëllonin ndaj popullsisë civile nga kodrat përreth Sarajevës.
“Sarajevo Safari ishte pika e nisjes,” tha Gavazzeni. “Fillova një korrespondencë me regjisorin dhe prej andej e zgjerova hetimin derisa mblodha mjaftueshëm material për t’ia paraqitur prokurorëve të Milanos.”
Gavazzeni pretendon se “shumë, shumë, shumë italianë” dyshohet se janë përfshirë, pa dhënë një numër të saktë. “Kishte gjermanë, francezë, anglezë… njerëz nga të gjitha vendet perëndimore që paguanin shuma të mëdha për t’u çuar atje e për të qëlluar mbi civilë.”
Ai shtoi: “Nuk kishte motivime politike apo fetare. Ishin njerëz të pasur që shkonin atje për argëtim dhe kënaqësi personale. Po flasim për njerëz që duan armët, që ndoshta praktikojnë në poligone qitjeje ose shkojnë në safari në Afrikë.”
Gavazzeni deklaroi se ka identifikuar disa nga individët italianë që dyshohet se janë përfshirë dhe që pritet të merren në pyetje nga prokurorët në javët në vijim.
Viktimat më të njohura të zjarrit të snajperëve ishin Boško Brkiç dhe Admira Ismiç, një çift i dokumentuar në filmin Romeo dhe Zhulieta në Sarajevë, të cilët u vranë nga një snajper në vitin 1993 ndërsa përpiqeshin të kalonin një urë. Trupat e tyre mbetën për disa ditë në zonën neutrale midis pozicioneve të boshnjakëve dhe serbëve. Fotografitë e tyre u botuan dhe u bënë simbol i rastësisë dhe çnjerëzisë së luftës.
