7 vendet më të frikshme në botë

Frika shet. Pavarësisht nëse besoni apo jo në shpirtra, “turizmi i së frikshmes” ka kthyer vende të errëta dhe misterioze në atraksione turistike me miliona vizitorë çdo vit. Ndryshe nga shtëpitë e frikshme të përkohshme që hapen në periudhën e Halloween-it, këto vende janë “të vërteta”, të mbushura me histori makabre, sekrete të errëta dhe pamje që të ngrijnë gjakun.

Ja 7 prej destinacioneve më të frikshme në botë:

1. Ossuari i Sedlec – Sedlec, Çeki

Në këtë kishë të vogël katolike ruhen eshtrat e rreth 40 mijë njerëzve, të vendosura artistikisht në mure, tavane e mobilie. Kryevepra më e njohur është llamba prej kockash njerëzore, si dhe stema e familjes aristokrate Schwarzenberg. E gjithë kjo nuk u bë për qëllime makabre, por praktike, për të kursyer hapësirë varrimi. Pas kthimit nga Jerusalemi në vitin 1278, abati i Sedlec solli pak dhe nga Golgota, vendi i kryqëzimit të Krishtit, dhe mijëra të krishterë kërkuan të varroseshin aty. Për të bërë vend për të rinjtë, eshtrat e mëparshme u zhvarrosën dhe u vendosën brenda kapelës.

2. Shpella e Magjistares së Bell-it – Tennessee, SHBA

Legjenda thotë se në shekullin XIX, familja Bell u mallkua nga shpirti i një magjistareje, Kate Batts, që kishte qenë fqinja e tyre. Sipas tregimeve, ajo helmoi John Bell dhe torturoi familjen e tij, sidomos vajzën Betsy. Madje, thuhet se edhe presidenti Andrew Jackson vizitoi shtëpinë dhe iku i tmerruar, duke thënë: “Më mirë të përballem me tërë ushtrinë britanike sesa të kaloj një natë tjetër me Magjistaren e Bell”. Sot, vizitorët mund të shohin shtëpinë e John Bell-it dhe shpellën ku besohet se endet ende shpirti i saj.

3. Ishulli i Kukullave – Teshuilo, Meksikë

Në këtë ishull të vogël, Don Julian Santana jetoi për 50 vjet i vetëm, duke mbledhur qindra kukulla të dëmtuara që i varte në pemë si “dhurata” për shpirtin e një vajze të mbytur në kanal. Pamja është e frikshme, kukulla të copëtuara që varen nëpër degë si hije të fëmijërisë së humbur. Edhe pse duket makabre, qëllimi i Don Julian ishte i shimbshëm: t’i jepte lodra shpirtit të vajzës që nuk arriti të rritej kurrë.

4. Ishulli i Luftanijes – Nagasaki, Japoni


I njohur si Hashima ose Gunkanjima, ky ishull i vogël dikur ishte qendër industriale me mijëra minatorë qymyri. Që prej mbylljes në vitin 1974, ishulli është braktisur dhe duket si një qytet fantazmë mbi det. Në vitin 2015 u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ndërsa përmendet edhe si vendi ku u xhirua filmi “Skyfall” me James Bond. Tani vizitorët mund të hyjnë, por atmosfera e izoluar dhe ndërtesat e rrënuara e bëjnë përvojën tërësisht tronditëse.

5. Katakombet e Parisit – Francë

Nën rrugët e Parisit ndodhen rreth 6 milion skelete njerëzish, të vendosura në labirinte të errëta e të lagështa. Këto katakombe u krijuan në shekullin XVIII për të zgjidhur problemin e varrezave të mbingarkuara. Sot janë një nga atraksionet më të frikshme të qytetit, por edhe më të rrezikshmet, në vitin 2017, dy adoleshentë humbën për tri ditë në tunelin e pafund. Për shkak të fluksit të madh të turistëve, katakombet do të mbyllen për rikonstruksion më 3 nëntor 2025 dhe pritet të rihapen në vitin 2026.

6. Ishulli Poveglia – Venecia, Itali

Një ishull i vogël midis Venecias dhe Lidos, Poveglia ka një histori të errët. Në shekullin XVIII, shërbeu si zonë karantine për të prekurit nga murtaja, ndërsa më vonë, në vitet 1920, u kthye në azil psikiatrik. Sipas legjendës, një mjek sadist që torturonte pacientët e tij, përfundoi duke hedhur veten nga kambanorja. Sot ndërtesat e ndryshkura janë ende në këmbë, dhe ndonëse ishulli është i ndaluar për vizita, disa varkëtarë venecianë ende ofrojnë udhëtime të fshehta për të guximshmit.

7. Krateri i Darvazës – “Porta e Ferrit”, Turkmenistan

Në mes të shkretëtirës së Karakumit ndodhet një gropë me zjarr që digjet pandërprerë prej më shumë se 50 vitesh. E njohur si “Porta e Ferrit”, ajo u krijua në vitin 1971 kur gjeologët sovjetikë ndezën aksidentalisht një fushë gazi për të shmangur rrjedhjen e metanit. Flakët vazhdojnë edhe sot, duke e bërë vendin një mrekulli të frikshme natyrore. Megjithatë, për shkak të rregullave të rrepta të vizave, Turkmenistani mbetet ndër vendet më të vështira për t’u vizituar.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME