Gjatë ditës së sotme u raportua se Gjykata në Tiranë, shpalli fajtore Egla Cenon, ndaj padisë për shpifje, e iniciuar nga Saimir Koda, pas pretendimeve të aktores për ngacmim seksual.
Këto deklarata, Egla i kishte bërë gjatë kohës sa ishte brenda spektaklit të Big Brother VIP Albania 3.
E ftuar në emisionin Goca dhe Gra, në një lidhje direkte, aktorja potencoi se i është thënë nga mbrojtja e saj se është dënuar si fajtore, dhe se detyrohet të bëjë një përgënjeshtrim [ndaj deklaratave për ngacmim] në një medium specifik.
“Ky është dënimi që avokati ma tha që është marrë, por vendimi nuk është zbardhur. Nuk dihet me çfarë arsyetimesh, në çfarë forme, e kështu gjërash”, ka deklaruar sot Egla.
“Jam koshiente, që është e fortë [kauzë] jam e sigurt që edhe ju jeni, mua më vjen mirë që kjo kauzë është në veshët, gojën dhe vëmendjen e të gjithëve sepse ky është dhe qëllimi i kësaj kauze. Unë kam një video në Instagramin tim ku kam folur fjalën e fundit, në seancën e fundit ku kam qenë prezente, që ishte fjala e fundit që më takonte të thoja dhe ajo video është literalisht fjala ime e fundit para trupit gjykues”, theksoi aktorja.
“Nuk kam asgjë, asnjë presje për të shtuar dhe për të hequr kësaj fjale të fundit, unë sigurisht, nuk do të tërhiqem me mjetet ligjore me ato që ligji lejon, do e vazhdojë këtë betejë, edhe dy jetë t’i kisha, të dyja do t’i shpenzoja, për ta vazhduar këtë betejë”.
Egla po ashtu dha një deklaratë për sa i përket reagimeve të përziera nga publiku, në lidhje me vendimin e gjykatës.
“Ndihem shumë mirë që flitet për këtë gjë publikisht, duhet të flitet, por unë do i lutesha të paktën njerëzve që dinë të lexojnë nën rreshta, që respektojnë figurën time apo këtë kauzë, të ishin të kujdesshëm me mënyrën se si flitet, me mënyrën se si i drejtohen edhe organeve ligjvënëse, sepse kjo është një çështje që nuk bëhet ‘tap-rrap’, është një çështje që do durim, e unë kam gjithë durimin e botës për ta çuar përpara”, është shprehur ajo.