Ëndrrat zbulojnë atë që fshihet në nëndijen tonë, ato janë pasqyrë e emocioneve, frikërave dhe tensioneve që shpesh nuk i pranojmë vetë. Nëpërmjet ëndrrave ne shpesh zgjidhim konflikte të brendshme, kuptojmë diçka që nuk arrijmë ta shohim me vetëdije – por a mund të ndodhë që ëndrrat të paralajmërojnë edhe sëmundje fizike, madje para se të shfaqen simptomat e para?
Sipas disa studimeve, ëndrrat mund të sinjalizojnë prirjen për zhvillimin e një sëmundjeje shumë më herët sesa njeriu ta kuptojë. Ka raste të dokumentuara ku njerëzit kanë raportuar ëndrra të përsëritura që i kanë paralajmëruar për sëmundje si kanceri, tuberkulozi apo madje edhe për një sulm në zemër. Edhe pse prova të drejtpërdrejta shkencore ka pak, duket se truri mund të perceptojë ndryshimet në trup shumë më herët dhe t’i përkthejë ato në simbole gjatë gjumit.
Një shembull i përmendur në librin Psikoterapitë e pacientëve me kancer, nga Jane G. Goldberg, përshkruan një burrë i cili tregon se bashkëshortja e tij kishte pasur për dy javë me radhë ëndrra të tmerrshme ku qentë i shqyenin barkun, pak muaj më vonë asaj iu diagnostikua kanceri në stomak. Ai besonte se ato ëndrra ishin paralajmërimi i parë i sëmundjes.
Ky fenomen quhet ëndërr prodromale – nga fjala latine prodromus, që do të thotë “paralajmërues”. Që nga kohët e lashta besohej se ëndrrat mund të tregojnë për praninë e sëmundjeve ende të padukshme. Mjeku i famshëm grek Galen, në librin e tij Profecitë në ëndërr, përshkruan një burrë që pa në ëndërr këmbën e kthyer në gur, dhe pak ditë më pas ajo iu paralizua. Në Greqinë e lashtë, njerëzit shkonin në tempujt e Asklepit, zotit të mjekësisë, për të fjetur aty dhe për t’u shëruar përmes ëndrrave që më pas i interpretonin priftërinjtë.
Edhe Aristoteli besonte se sëmundjet nisin në mënyrë të padukshme dhe se shenjat e para mund të shfaqen vetëm gjatë gjumit, kur trupi dhe truri janë më të qetë. Po ashtu, psikologu Carl Gustav Jung e analizoi fenomenin e ëndrrave që shfaqin gjendje trupore: në një rast, ai parashikoi se një pacient që kishte ëndërruar për “rreth të bllokuar me baltë” kishte problem organik me qarkullimin e lëngut cerebrospinal.
Në librin Psikologjia e ëndrrave (1920), William S. Walsh përmend disa shembuj të tillë: Aristidi, një burrë i Athinës, kishte parë në ëndërr një dem që e kishte goditur në gju, dhe pas pak kohe aty iu formua një tumor. Një mjek amerikan, William Alexander Hammond, përshkruan rastin e një pacienti që ëndërroi se ishte prerë më dysh, disa ditë më vonë pësoi paralizë të gjysmës së trupit. Një gazetar, H. Addington Bruce, ëndërronte shpesh që një mace e gërvishte në fyt, dhe më vonë u zbulua se kishte një masë që duhej operuar; pas operacionit, ëndrrat u zhdukën.
Në shumë raste, ëndrrat mund të jenë mënyra se si trupi përpiqet të na paralajmërojë për diçka që ndodh në brendësi. Shpesh ne i injorojmë shenjat e vogla ditore – lodhjen, parehatinë, stresin, por gjatë gjumit, kur truri është i qetë dhe pa shpërqendrime, këto ndjesi bëhen më të qarta. Ëndrrat mund të përqendrojnë ndjesinë e dhimbjes në një vend të caktuar ose ta shndërrojnë në simbol (p.sh. kafshim, prerje apo gjak).
Ka edhe shembuj të njerëzve me diabet që kanë ëndrra të përsëritura të frikshme pak para se t’u bjerë rrezikshëm niveli i sheqerit në gjak. Një paciente tregonte se ëndërronte se po binte në një spirale pa fund dhe zgjohej e djersitur, pa e kuptuar se çfarë po ndodhte derisa kuptoi se niveli i sheqerit i kishte rënë nën kufijtë e sigurtë.
Në mënyrë të ngjashme, stresi shpesh shfaqet në ëndrra në formë simbolike: vonesa në autobus, fluturim i humbur, humbje sendesh apo personash – të gjitha këto lidhen me ndjesinë e mbingarkesës, presionit apo humbjes së kontrollit. Një ëndërr për një shtëpi që digjet shpesh tregon “djegie” emocionale dhe paralajmëron për rrezikun e shterimit nervor.
Ëndrrat mund të lidhen edhe me shtatzëninë: shumë gra raportojnë se gjatë kësaj periudhe kanë më shumë ëndrra të gjalla e të çuditshme. Studime të kryera në Izrael dhe Itali kanë treguar se gratë shtatzëna që kanë më shumë ëndrra, madje edhe të frikshme, kanë më pak gjasa të zhvillojnë depresion pas lindjes dhe shpesh përjetojnë lindje më të lehta.
Disa njerëz praktikojnë ëndërrimin lucid – aftësinë për të qenë të vetëdijshëm gjatë ëndrrës dhe për ta drejtuar atë sipas dëshirës. Kjo teknikë, tashmë e dokumentuar shkencërisht, u mundëson të shfrytëzojnë më mirë aftësitë e trurit dhe të lidhen më thellë me procesin e vetë-shërimit.
Dikur ëndrrat konsideroheshin thjesht “aktivitet i rastësishëm nervor”, por sot psikologët i shohin si mekanizëm të rëndësishëm të vetëdijes dhe kujdesit ndaj vetes. Studimet e psikologëve David B. King dhe Teresa L. DeCicco treguan se njerëzit me shëndet më të dobët fizik shpesh kanë më shumë ëndrra që përfshijnë plagë, lëndime apo kafshë, ndërsa ata me gjendje depresive shohin më shpesh ëndrra me ndjenja trishtimi dhe zemërimi.
Autorët konkludojnë se sa më shumë t’i kuptojmë ëndrrat, aq më të vetëdijshëm bëhemi për shëndetin tonë fizik dhe emocional. Prandaj, edhe pse ëndrrat mund të duken të çuditshme apo të pakuptimta, ato shpesh janë mënyra më e thellë e trupit dhe shpirtit për të komunikuar me ne.
Nëse jeni të shëndetshëm në dukje, por përjetoni shpesh ëndrra të përsëritura, të forta ose të frikshme, mos i injoroni. Mund të jenë mesazhe të trupit tuaj që kërkojnë vëmendje. Siç thonë psikologët jungianë: “Ëndrrat janë gjuha e shpirtit – dhe shpirti gjithmonë di kur diçka nuk është në rregull.”