Një ndërtesë gjigante banimi në Kinë është cilësuar si ndërtesa më e madhe dhe më e populluar në botë, me rreth 20 mijë banorë që jetojnë vetëm brenda një kompleksi. Bëhet fjalë për Regent International Apartment Complex, i vendosur në Qianjiang Century City, në qendrën e biznesit të Hangzhou-t, shkruan Unilad, transmeton Korrespodenti.
Ndërtesa me formë S ngrihet 206 metra lartësi dhe përfshin rreth 260 mijë metra katrorë hapësirë. Brenda saj gjenden plot 5 mijë apartamente me madhësi të ndryshme – që nga studio të vogla deri tek banesa me disa dhoma. Ajo është projektuar jo vetëm për të jetuar, por edhe për të punuar dhe për t’u argëtuar, duke e bërë të panevojshme daljen jashtë për shumë prej banorëve.
Kompleksi përmban një gamë të gjerë shërbimesh, të ngjashme me ato të një qyteti të vogël. Në brendësi ndodhen një “food court” gjigant, dyqane ushqimore, supermarkete të mesme, sallone bukurie, pishina, palestër, internet-kafe dhe madje edhe berberë e qendra estetike. Këto hapësira kanë bërë që ndërtesa të bëhet e njohur në rrjetet sociale, sidomos në TikTok, ku pamjet me dron kanë treguar përmasat e saj mbresëlënëse.
@fatheristheone The Regent International apartment in Hangzhou, China is famous for having a lot of inhabitants comparable to a small town, around 20,000 #unreal #😎 #followme #love #free #forever #friends #earth #biggest#apartments#hangzhou #china ♬ original sound – father is the one
Arkitektja Alicia Loo, e cila kishte punuar më herët si dizajnere kryesore e hotelit luksoz “Singapore Sands”, e konceptoi fillimisht këtë projekt si një hotel me gjashtë yje. Megjithatë, Regent International sot është shndërruar në një kompleks banimi që pret mijëra familje, studentë, të diplomuar rishtazi dhe profesionistë të rinj.
Çmimet e qirasë janë shumë më të përballueshme se në metropolet perëndimore. Apartamentet e vogla pa dritare kushtojnë rreth 1.500 RMB në muaj (afërsisht 210 dollarë), ndërsa ato më të mëdha me ballkon arrijnë deri në 4.000 RMB (rreth 570 dollarë). Në krahasim, sipas portalit Apartments.com, një apartament mesatar në New York kushton mbi 4.000 dollarë në muaj – pothuajse dhjetë herë më shumë se në Hangzhou.
Për shumë banorë, ky kompleks është një mënyrë e re e jetesës urbane: një qytet i vogël vertikal ku jeta, puna dhe argëtimi ndodhin nën një çati të vetme. Dhe ndërsa për disa kjo mund të duket si një realitet “dystopian”, për të tjerë është një zgjidhje praktike ndaj kostove të larta dhe mungesës së hapësirës në qytetet moderne. /Korrespodenti