Në Minneapolis të Minnesotës ndodhet një dhomë unike, e cila është futur në librin e rekordeve Guinness si më e qeta në botë. E ndërtuar në Orfield Laboratories, kjo hapësirë e njohur si “anechoic chamber” ka regjistruar nivele zhurme deri në –24.9 decibel A-weighted (dBA), shumë më poshtë se pragu i dëgjimit njerëzor (0 dBA). Sipas Guinness World Records, ky rezultat e bën dhomën më të qetë në Tokë dhe një përvojë të jashtëzakonshme për çdo visitor, shkruan Korrespodenti.
Dizajni i dhomës është i tillë që thith pothuajse çdo tingull dhe nuk lejon jehonë. Ajo është e ndërtuar me panele të mëdha fiberglasi, mure çeliku të izoluara dhe shtresa betoni të trasha, të cilat bllokojnë çdo zhurmë nga jashtë. Brenda saj, mungesa e çdo zëri apo reflektimi akustik krijon një ndjesi të pazakontë: trupi i njeriut bëhet burimi i vetëm i tingullit.
Did you know? “The Quietest Place on Earth” is the anechoic chamber at Orfield Laboratories Inc. in #Minneapolis pic.twitter.com/Fsk7E2pPW2
— realPRO (@realPROmpls) February 13, 2015
Steven Orfield, themeluesi i laboratorit, ka thënë për BBC se shumë njerëz që hyjnë në dhomë raportojnë se dëgjojnë gjëra që normalisht nuk i perceptojnë: rrahjet e zemrës, qarkullimin e gjakut, frymëmarrjen, madje edhe lëvizjen e qepallave kur mbyllin sytë. Kjo ndjesi, sipas tij, mund të bëhet e padurueshme dhe disa vizitorë fillojnë të ndihen të hutuar ose të marramenduar pas pak minutash.
Efekti nuk është vetëm psikologjik. Shkencëtarët shpjegojnë se truri i njeriut, i mësuar të procesojë vazhdimisht tingujt e mjedisit, humb orientimin kur këta mungojnë. Kjo është arsyeja pse shumë persona nuk arrijnë të qëndrojnë gjatë brenda. Rekordi më i gjatë i regjistruar për një vizitor është rreth 1 orë, megjithëse shumica dorëzohen pas vetëm disa minutash.
An anechoic chamber is a room designed to completely absorb reflections of either sound or electromagnetic waves. This is the difference between bursting a ballon outside and inside a anechoic chamber https://t.co/idYuaOHwzn [full video by dydxlnx: https://t.co/tvGVQbK4wr] pic.twitter.com/xwIpoeHv78
— Massimo (@Rainmaker1973) January 17, 2022
Përtej kuriozitetit, dhoma përdoret edhe për qëllime shkencore dhe industriale. Sipas Smithsonian Magazine, kompanitë e teknologjisë dhe prodhuesit e pajisjeve elektronike testojnë aty zhurmën e produkteve të tyre, nga telefonët celularë deri te motorët elektrikë. Ajo shërben gjithashtu për studime mbi perceptimin e njeriut ndaj tingullit ekstremisht të ulët ose mungesës totale të tij.
Për shumëkënd, ideja e një qetësie absolute është tërheqëse. Por përvoja e atyre që e kanë provuar tregon se heshtja e plotë nuk është gjithmonë e rehatshme. Në vend që të sjellë qetësi, ajo shpesh sjell tension dhe ndjesi të çuditshme. Dhoma e Orfield Laboratories mbetet kështu një shembull i kufijve të perceptimit njerëzor dhe një kujtesë se edhe heshtja ka një kufi që trupi ynë e percepton si sfidë. /Korrespodenti