Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar arrestimin e personit që ekzekutoi aktivistin republikan Charlie Kirk.
Lajmin Trump e dha gjatë një interviste live për Fox News, ku gjithashtu shprehu shpresën që autori të marrë dënimin me vdekje.
“Autori i të shtënave ndaj Charlie Kirk është në pranga. Shpresoj të marrë dënimin me vdekje…”, tha Trump.
Autoritetet amerikane, përfshirë FBI dhe policinë e Utah, publikuan më herët këtë të premte, një video që tregonte një të dyshuar duke u larguar nga vendngjarja.
Sipas hetuesve, informacioni i siguruar nga publiku ka ndihmuar në krijimin e disa pistave hetimore. Në pamje shihet një person me syze dielli, bluzë me mëngë të gjata dhe me flamurin amerikan, që largohet nga godina ku ndodhi ngjarja.
Më pas, i dyshuari kalon një rrugë dhe hyn në një zonë pyjore, ku policia gjeti një pushkë me fuqi të lartë, e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në krim.
Deri më tani nuk është bërë e ditur vendndodhja e saktë ku u krye arrestimi i autorit.