Shkencëtarët thonë se Toka mund të ketë një oqean të ri në të ardhmen.
Lëvizja e pllakave tektonike nën pjesën veriore të Afrikës mund të shkëpusë rajonin që sot përfshin Etiopinë, Xhibutin dhe Eritrenë nga pjesa tjetër e kontinentit. Kjo do t’i hapte rrugë Oqeanit Indian të depërtojë, duke ndarë tokën dhe duke krijuar një trup të ri ujor gjigant, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.
Megjithatë, ky proces nuk do të ndodhë shpejt. Shkencëtarët parashikojnë se nëse formohet një oqean i ri, kjo mund të ndodhë pas 1 deri në 20 milionë vitesh.
Pse po ndodh kjo pikërisht në Afrikën Veriore?
Në këtë zonë ndodhet Sistemi i Çarjes së Madhe Afrikane (East African Rift System), ku pllaka somaleze po tërhiqet nga pllaka nubiane, ndërsa të dyja po largohen edhe nga pllaka arabe në veri, sipas Shoqërisë Gjeografike të Londrës.
Studimet tregojnë se kjo ndarje shkaktohet nga magma e thellë nën sipërfaqen e Tokës, e cila po shtyn pllakat që të largohen nga njëra-tjetra. Sipas USA Today, disa pjesë të çarjes po ndahen me ritëm deri në 0.8 milimetra në vit, shkruan Inteligjenca n’3D.
Ky proces i lëvizjes së pllakave tektonike është përgjegjës për shumë fenomene gjeografike. Kur pllakat ndahen, formohen vullkane, gejzerë dhe lloje të veçanta luginash. Ndërkohë, kur pllakat përplasen mes tyre, krijohen vargmale të mëdha, të cilat vazhdojnë të rriten edhe sot. Kështu janë formuar Himalajet, por edhe çarja e famshme San Andreas në Kaliforni.
Në Afrikën Veriore, kjo do të thotë se priten më shumë tërmete dhe aktivitet vullkanik.
Oqeani i fundit i “ri”
Herën e fundit që u njoh një oqean i ri ishte në vitin 2021, kur National Geographic Society e shpalli zonën ujore përreth Antarktidës si “Oqeani Jugor”. Shumë shkencëtarë e kishin konsideruar atë si një trup të veçantë për dekada, por njohja zyrtare e bëri këtë klasifikim më të pranueshëm në mbarë botën. /Inteligjenca n’3D