Liridona Ademaj, 30-vjeçarja që u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, është varrosur dje në varrezat e fshatit Cërmjan.
Në ceremoninë e varrimit ka marrë pjesë bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili disa orë më vonë u arrestua nën dyshimet se kishte porositur vrasjen e saj, duke e paguar 30 mijë euro një person për ta kryer krimin.
“Të kujtojnë me mallë burri Naimi, si dhe djemtë…” – shkruhet në mbishkrimin e kurorrës me lule.
Gazeta Express merr vesh nga burime se Murseli dyshohet se e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro që ta vrasë gruan. Raportohet se 15 mijë ia kishte dhënë para krimit të rëndë, e 15 mijë të tjera pas vrasjes.
Zyrtarisht ende s’ëhtë konfirmuar, mirëpo raportimet në media janë se Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjecares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur vrasjen dhe se edhe Murseli e ka pranuar këtë para hetuesve.
Pas arrestimit të tyre, Policia dhe Prokuroria e Shtetit kanë dalë me nje komunikatë të përbashkët, ku u tha se ata janë arrestuar në Gjakovë dhe se është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer krimi.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast. Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftim.
Lidhur me vrasjen e Liridonës, është arrestuar edhe Kushtrim Kokalla, që raportohet të jetë nipi i Naim Murselit.
Kokalla është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes.
“Në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen në Prishtinë është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K. Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.