Vladimir Putin ka zhvendosur këtë të hënë të paktën katër bombardues të rëndë Tu-95MS më pranë Evropës, sipas një raporti nga Insider UA.
Këto avionë strategjikë përdoren shpesh për të bombarduar Ukrainën, dhe thuhet se janë të ngarkuar me raketa, duke krijuar një “probabilitet të lartë” për një sulm të afërt.
Nëse konfirmohet, kjo lëvizje vjen pasi Donald Trump urdhëroi dërgimin e dy nëndetëseve bërthamore afër Rusisë, pas një kërcënimi për luftë atomike nga aleati i afërt i kreut të Kremlinit, Dmitry Medvedev.
“Nëndetëset amerikane tani janë aty ku duhet të jenë”, tha Trump të dielën vonë.
Putini fillimisht i zhvendosi avionët Tu-95MS nga baza ajrore Olenya në rajonin arktik të Murmanskut pas një sulmi të guximshëm me dron nga Ukraina më 1 qershor. Ata u zhvendosën gjithashtu nga Engels-2 në rajonin Saratov për shkak të frikës nga sulmet ukrainase. Avionët u dërguan në bazën ajrore ruse Ukrainka në rajonin Amur, 5,900 kilometra në lindje të Moskës, ku konsideroheshinn të sigurt nga sulmet, por duket se disa prej tyre po rikthehen si kërcënim për Europën.
“Rusia ka transferuar bombarduesit nga Lindja e Largët më afër Ukrainës. Të paktën 4 avionë Tu-95MS janë ripozicionuar nga Ukrainka në Olenya/Engels-2. Disa nga avionët tashmë janë të pajisur me raketa lundrimi. Këta avionë janë pjesë e arsenalit bërthamor të Rusisë, por gjithashtu përdoren për të goditur Ukrainën me bomba konvencionale”, thuhet në raportin e Insider UA.
Të gjitha këto zhvillime ndodhin në një javë kur i dërguari special i Trump-it, Steve Witkoff, pritet të udhëtojë në Rusi. Witkoff do të arrijë në Moskë të mërkurën, përpara se SHBA të vendosë sanksione ndaj Kremlinit nëse nuk ndërmerret një hap drejt armëpushimit dhe bisedimeve për përfundimin e luftës.