Ndërkohë, një pjesë e opinionit publik në fqinjin tonë verior, Serbinë, besojnë se Uashingtoni mund të rrisë presionin, për formalizimin e një forme të njohjes së shtetësisë së Kosovës.
Njohësit e zhvillimeve politike atje, theksojnë se marrëveshjet kyçe tashmë janë zbatuar, duke vlerësuar se pushteti aktual në Serbi, i cili ka balancuar herë pas here raportet me Bashkimin Evropian, nuk duhet të refuzojë një ofertë të mundshme që mund t`i vijë nga SHBA-ja.
Muajt në vijim, pritet një angazhim më i fuqishëm i administratës amerikane rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me paralajmërime gjithnjë më të qarta se qëllimi përfundimtar mund të jetë marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, duke përfshirë një formë të njohjes. Një pjesë e opinionit politik në Serbi vlerëson se parakushtet për një epilog të tillë tashmë janë vendosur përmes marrëveshjeve ekzistuese.
“Publikut në Serbi me sukses i fshihet fakti se dy marrëveshjet e Brukselit dhe aneksi i Ohrit përbëjnë njohje de facto. Mendoj se iniciativa e dy kongresisteve shkon drejt njohjes de jure. Serbët janë pengjet më të mëdha të politikës së rreme të Beogradit, deklaroi ndërkaq Zoran Vuletiq nga Forumi Demokratik Qytetar.
Dy anëtare të Kongresit, Klaudia Teni dhe Krisi Hulahan, i kërkuan presidentit amerikan Donald Trump të ndërmjetësojë një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me qëllim njohjen e ndërsjellë.
Në Serbi, reagime ka nxitur fakti që Teni është bashkëkryetare e grupit për çështje serbe në Kongres, ndaj forcat nacionaliste kërkojnë që MPJ të sqarojë qëndrimin zyrtar. Sipas politikanit dhe juristit Aleksandër Olenik, një ofertë nga SHBA, kur të vijë, do të jetë politikisht e pashmangshme.
“Vuçiq ka shmangur gjithmonë konfliktin me SHBA-në dhe ka zbatuar pa kundërshtim kërkesat e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për Trumpin. Nëse vjen momenti për marrëveshjen përfundimtare, do ta nënshkruajë pa hezitim. Paradoksalisht, një ish-radikal mund të përmbyllë formalisht dialogun me Kosovën”, deklaroi avokati dhe njëherësh politologu Aleksandër Olenik.
Analistët vlerësojnë se ndërmjetësimi amerikan mund të hapë fazën e presionit për formalizimin e realitetit ekzistues dhe se SHBA do të insistojë në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Uashingtonit./RTK