Në një ligjëratë për “Inteligjenca n’3D”, psikologia Pranvera Jetishi-Çollaku shpjegoi format e ndryshme të bullizmit dhe ndikimin e tyre të thellë emocional dhe psikologjik tek fëmijët dhe adoleshentët. Përmes përvojës klinike, ajo theksoi se ky fenomen është shumë më i përhapur dhe më i dëmshëm sesa mendohet zakonisht.
Jetishi thotë se bullizmi nuk ka vetëm një formë. Ai shfaqet në mënyra të ndryshme – fizike, verbale, sociale, seksuale dhe kibernetike – dhe secila prej tyre lë pasoja të rënda tek viktimat, qoftë në trup apo në mendje.
“Kemi lloje të ndryshme të bullizmit: bullizëm fizik, bullizëm emocional, social, psikologjik, kibernetik. Forma e bullizimit fizik përfshin disa sjellje dëmtuese te persona të tjerë, siç janë: grushtimi, shtyrjet, veprimet, pra, që lëndojnë të tjerët në forma të ndryshme…”, shpjegon Pranvera Jetishi-Çollaku.
Bullizmi verbal, sipas saj, është një nga format më të zakonshme, i cili shpesh ndodh në shkollë, në familje apo edhe mes mësimdhënësve dhe nxënësve. Fjalët fyese, nofkat, talljet dhe kërcënimet nuk duken të rënda në fillim, por lënë plagë të thella emocionale.
“Bullizimi verbal përfshin shprehjet, talljet e ndryshme, nofkat, fyerjet, sharjet, kërcënimet, përhapjen e thashethemeve… që shpeshherë janë shumë prezentë qoftë në mesin e bashkëmoshatarëve, qoftë në mesin e raporteve mësimdhënës dhe nxënës apo adoleshentë, sikurse edhe në familje”, thekson ajo.
Një formë tjetër e dhimbshme është bullizmi social, i cili ndodh kur fëmijët përjashtohen nga grupet, aktivitetet apo festat. Jetishi tregon se kjo mënyrë e injorimit dhe izolimit mund të ndikojë rëndë në vetëvlerësimin e fëmijëve.
“Bullizimi social… paraqitet në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëve duke injoruar njëri-tjetrin nga lojërat, duke lanë jashtë grupit, duke shpërfillur apo duke mos i ftuar në festat apo aktivitetet e klasës… është një bullizëm që vërtet ndikon në gjendjen emocionale të fëmijëve shumë negativisht”, sqaron Jetishi.
Këto forma të bullizmit, shpesh të normalizuara në mjedisin tonë arsimor dhe familjar, ndikojnë thellësisht në zhvillimin emocional të fëmijëve. Jetishi paralajmëron se shumë nga këto raste kalojnë pa u vënë re, derisa pasoja si ankthi, depresioni apo vetëlëndimi të shfaqen në mënyrë të dhimbshme.
Deklaratën e plotë të psikologes Pranvera Jetishi-Çollaku në Inteligjenca n’3D, e gjeni në videon më poshtë: