Në Kosovë, fertilizimi i asistuar mjekësor (IVF) vazhdon të realizohet mbi bazën e një udhëzimi administrativ, ndërkohë që mungon ende një ligj i miratuar për këtë fushë kaq të ndjeshme. Gjinekologu Curr Gjocaj, në ligjëratën e tij për “Inteligjenca n’3D”, thekson se miratimi i këtij ligji nga legjislatura e ardhshme do të ishte hap vendimtar për të ndihmuar shumë çifte që kërkojnë të bëhen prindër.
Sipas Dr. Gjocajt, pavarësisht debatit të gjerë publik dhe politik rreth IVF-it, legjislatura që sapo përfundoi mandatin nuk arriti ta miratonte ligjin për fertilizimin e asistuar mjekësor. Megjithatë, ai mban shpresën që Kuvendi i ardhshëm ta çojë përpara këtë proces jetik për shumë familje.
“Në vendin tonë është zhvillu një debat shumë i ashpër edhe për një ligj, ligjin për fertilizim të asistuar mjekësor, i cili nuk ka arritë që të kalojë për shkak të debateve shumë të rrepta pro dhe kundër tij… Të shpresojmë që në legjislaturën që vjen ky ligj do të ecë tutje,” shpjegon Dr. Curr Gjocaj.
Ai sqaron se IVF nuk u shërben vetëm çifteve që përballen me infertilitet klasik, por edhe rasteve të tjera të ndërlikuara kur njëri nga partnerët nuk ka qeliza të shëndetshme riprodhuese. Ligji i propozuar do të hapte rrugën edhe për përdorimin e donacioneve të kontrolluara, duke mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e të gjithë të përfshirëve.
“Është e mundshme që nën një procedurë të tillë me qelizat e çiftit – nënës dhe babait – t’u mundësohet që të kenë pasardhës… Por në raste tjera, kur është e pamundshme, atëherë ju mundësohet që ato qeliza të merren si donacion dhe të implementohen në trupin e asaj femre,” thotë ai.
Megjithëse mungon një ligj i posaçëm, Gjocaj thekson se udhëzimi aktual administrativ lejon zhvillimin e shumicës së procedurave të IVF-it. Sidoqoftë, ai paralajmëron se mungesa e një baze ligjore të plotë e vështirëson trajtimin e rasteve më të ndërlikuara.
“Edhe baza ligjore që e kemi, pavarësisht mangësive që ka, mundëson shumë prej zgjidhjeve që këto çifte ta kenë mundësinë që të kenë fëmijë të dëshiruar,” thekson Dr. Curr Gjocaj.
Deklaratën e plotë të gjinekologut Curr Gjocaj në Inteligjenca n’3D, e gjeni në videon më poshtë: