Kosova tashmë ka një gjeneratë të fëmijëve që kanë lindur përmes IVF-së

Në Kosovë tashmë jetojnë gjenerata të tëra që kanë ardhur në jetë përmes fertilizimit in vitro (IVF) – një fakt që pak kush e mendon, por që dëshmon fuqinë e shkencës për të ndryshuar jetë. Gjinekologu Curr Gjocaj, në një ligjëratë për “Inteligjenca n’3D”, tregon se tashmë në vendin tonë nuk flasim më vetëm për procedura, por për njerëz konkretë që kanë ardhur në jetë nga IVF-i dhe që sot janë të rritur, të pavarur dhe jetojnë jetën e tyre si të gjithë të tjerët.

“Edhe në vendin tonë veç tash i kemi edhe të rritur një grup gjeneratash që kanë dalë nga këto procedura të IVF-it, jetojnë jetën e lirë dhe e gëzojnë si gjithë njerëzit e tjerë,” thekson Curr Gjocaj.

Ai shton se përkundër këtij realiteti të suksesshëm, IVF mbetet e paarritshme për shumë çifte që nuk mund të bëhen prindër. Sipas tij, është koha që shteti të ndërhyjë me politika mbështetëse dhe t’ua sigurojë këtë të drejtë të gjithë atyre që kanë nevojë.

“Problemi është që kjo gjë të avancohet dhe pse jo të kenë këtë të drejtë të gjitha çiftet që në formë natyrale, si thotë edhe vetë populli, nuk e ka falë Zoti gjer në këto momente kur shkenca tash po ia mundëson një gjë të tillë,” thotë ai.

Gjocaj shpjegon se mjekët që merren me shëndetin riprodhues përballen çdo ditë me dy realitete të kundërta: nga njëra anë, aplikimi i procedurave të ndërprerjes së shtatzënisë; dhe nga ana tjetër, trajtimi i çifteve që vuajnë thellësisht nga mungesa e një fëmije.

“Jemi me emocione të dyfishta në jetën tonë praktike… i aplikojmë procedurat e aborteve dhe, në anën tjetër, kemi një botë tjetër, që aq shumë vuajnë që ta kenë një shtatzëni të dëshiruar… por shumë na bën përshtypje qëndrimi i tyre pro jetës, e shpresa e madhe që kanë te profesionistët,” rrëfen ai.

Deklaratën e plotë të gjinekologut Curr Gjocaj në Inteligjenca n’3D, e gjeni në videon më poshtë:

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here