Kryeziu: Grenell është i pasaktë, Osmani e tha të vërtetën – ky njeri e informoi Trumpin për kërcënimin ndaj Kosovës

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu tha se është në “kontakt të vazhdueshëm” me komunitetin shqiptar në Amerikë dhe me “miq të tjerë me ndikim në Washington D.C.” pas një letra të hapur që ia drejtoi më herët Richard Grenellit, emisarit të Donald Trump për misione speciale, i cili tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka “manipuluar” fjalët e presidentit amerikan për një sulm të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës.

Kryeziu thotë se Grenell aludoi “çuditshëm” se Trump “e paska ngatërruar kohën e ngjarjeve”.

“Në vijimësi të letrës time publike drejtuar ambasadorit Grenell, dua ta theksoj që jam në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin shqiptar në Amerikë, si dhe me miq të tjerë me ndikim në Washington D.C. Aludimi i çuditshëm i mikut ton Rik Grenell që Presidenti Trump e paska ngatërruar kohën e ngjarjeve, pra është konfuz, e që duket i njejtë me atë zyrtarëve serb, është i pasaktë. Pos që është e pavërtetë, po ashtu është ofendim për Kosovën të thuhet që Presidentja Osmani i ka manipuluar fjalët e Presidentit Trump. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe mos ta ngatërrojmë Presidentin Trump me Presidentin Biden, që në dy vitet e fundit shpesh ishte konfuz dhe i ngatërronte gjërat. Presidenti Trump është një lider historik, tepër energjik, shumë i kthjellët dhe i qartë, si në artikulim ashtu edhe në gjykime”, shkroi Kryeziu.

Ai ndau një video të pjesës kur Trump thotë se para disa javësh Serbia po përgatitej “për një luftë serioze” dhe se ai e parandaloi këtë.

“Më poshtë, shihni deklarimin e Presidentit Trump, me 27 Qershor 2025, pra para dy javësh, në Shtëpi të Bardhë. Këtu pastër shihet shtjellimi i qartë dhe shumë logjik i Presidentit. Presidenti Trump flet qartazi në të tashmen, pastaj thotë “Tremendous breakthrough in a few months we have achieved peace between…”, dhe vazhdon me listimin e shteteve, duke u ndalur në fund te Kosova dhe Serbia. Ku është këtu referenca bizare për çështje të para 5 viteve, siç aludon Serbia? Të pretendohet që Presidenti Trump i ngatërron gjërat dhe kohën, pra është paksa senil si Biden, si dhe, siç thonë disa, “sometimes says stuff”, është nënçmim për figurën e ndritur të Presidentit Trump”, shkroi ish-kryetari i Kushtetueses në Facebook.

Më tej ai thotë se ka “burime të sigurta” se kur Trump tha se ka “një mik në Serbi”, e kishte fjalën për Rod Blagojevich.

“Le të ndalemi pak te fjalia “I have a friend in Serbia’. Sipas burimeve të mia, tejet të sigurta e të mirë informuara, këtu Presidenti Trump e ka fjalën për Rod Blagojevich që i ka transmetuar fjalët e Vucic. Disa ditë para përvjetorit të Betejës së Kosovës, në vlugun e kumtit për protesta në Serbi, Vucic i ka dërguar mesazh Presidentit Trump (nëpërmjet Blagojevich) që, nëse nuk i ndalet turri Kosovës, do të ndërhyjë me forcë në Kosovë, sepse ka shumë presion nga qarqet radikale në Serbi. Ky shantazh i Beogradit, pa dyshim i ndërlidhur me zhvillimet e brendshme në Serbi, nuk është pritur mirë nga Presidenti Trump”, shkroi ai.

Kryeziu thotë se Trump është “shumë i saktë” dhe se kishte “kërcënim real, të freskët” nga Serbia ndaj Kosovës.

“Presidenti Trump është shumë i saktë në artikulimin e tij për një kërcënim real, të freskët, të Serbisë ndaj Kosovës. Ndërkaq Presidentja Osmani e ka thënë të vërtetën kur ka deklaruar që ka pasur përpjekje të freskëta për veprime provokuese serbe në kufi, si manovër për të larguar vëmendjen nga protestat anti Vucic. Zoti ia zgjastë jetën Presidentit Trump, për kujdesin e tij ndaj Kosovës, dhe përkushtimin e tij të palodhur për paqe në botë”, shkroi ai.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here