“Izraeli është kërcënimi më i madh për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, në një telefonatë me Princin e Kurorës Saudite Mohammed bin Salman.
Presidenti Erdogan tha se “Izraeli, nën administratën Netanyahu, përbën kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, dhe kjo është riafirmuar përmes sulmit të tij të fundit ndaj Iranit”.
Bëhet e ditur se Erdogan dhe princi i kurorës saudite, i njohur edhe si MBS, diskutuan konfliktin Izrael-Iran dhe çështje të tjera rajonale dhe globale gjatë bisedës.
Presidenti turk tha se “heshtja e bashkësisë ndërkombëtare përballë pushtimit dhe gjenocidit në Palestinë e ka inkurajuar Izraelin në veprimet e tij të paligjshme dhe agresive”, shkruan AA, përcjell Telegrafi.
“Agresioni i Izraelit ndaj Iranit, në një kohë kur përpjekjet janë duke vazhduar për të arritur një kompromis përmes bisedimeve bërthamore midis Uashingtonit dhe Teheranit, synon të minojë përpjekjet për paqe”, tha Erdogan.
Ai shtoi se sulmet, të cilat shkaktuan rrjedhje bërthamore, zbuluan edhe një herë “se sa në mënyrë të papërgjegjshme kërcënon Izraeli si sigurinë rajonale ashtu edhe atë globale”.
Gjithashtu, udhëheqësi turk nënvizoi se rajoni nuk mund të durojë një krizë tjetër, duke paralajmëruar se një luftë shkatërruese mund të shkaktojë valë të parregullta migrimi që prekin të gjitha vendet në rajon.
Ai tha se mosmarrëveshja bërthamore mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet bisedimeve të vazhdueshme.
Ndryshe, sipas mediave izraelite, Erdogan paralajmëroi se Izraeli po kërkonte ta fuste botën në “katastrofë” pas sulmeve ndaj Iranit, duke i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ndalonte atë që ai e quajti “banditizëm” të Izraelit.
Një kritik i zëshëm i Izraelit dhe një avokat i zjarrtë i kauzës palestineze, Erdogan akuzon Izraelin se po e çon “strategjinë e tij të mbytjes së rajonit, veçanërisht Gazës, në gjak, lot dhe paqëndrueshmëri në një fazë shumë të rrezikshme” pas një vale sulmesh ajrore ndaj Iranit.
“Sulmet e Izraelit ndaj fqinjit tonë Iranit janë një provokim i qartë që shpërfill ligjin ndërkombëtar”, tha ai.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i japë fund banditizmit izraelit që synon stabilitetin global dhe rajonal”, shtoi Erdogan.