QYSHK – PAVLAN – ZAHAQ
Ndërsa forcat policore e ushtarake sërbe-jugosllave po depërtonin në fshatin Qyshk të Pejës në orët e hershme të 14 majit 1999, shumica e burrave të fshatit ia dolën të iknin në kodrat e afërme.1 Gjatë depërtimit, këto forca nëpër pjesë të ndryshme të fshatit i vranë 12 burra.2 Mes të vrarëve ishte Qaush Lushi, 50 vjeçar, i cili u ofroi para pjesëtarëve të forcave sërbe-jugosllave për ta shpëtuar të birin 20 vjeçar, Arian Lushin. Megjithatë, pasi ia morën paratë, ata ia ekzekutuan të birin, kurse Qaushin edhe e prenë në fyt.3
Pjesën e mbetur të popullatës e grumbulluan në qendër të fshatit dhe i ndanë gratë, fëmijët dhe pleqtë prej burrave që nuk kishin arritë të iknin. Fshatarëve të tubuar ua morën paratë, arin dhe sendet e tjera me vlerë, si dhe ua shkatërruan dokumentet e identifikimit.4 Sipas dëshmitarëve, burrat e kapur i ndanë në tri grupe dhe i futën në tri shtëpi të ndryshme, ku i ekzekutuan, për t’ua vënë më pas zjarrin shtëpive.
Sidoqoftë, në secilën nga tri shtëpitë shpëtoi gjallë nga një person.5 Në grupin e parë prej 12 burrave, që i futën në shtëpinë e Azem Gashit, shpëtoi Isa Gashi, i cili në dëshminë e dhënë për HLC-në thotë:
«Njani na tha që duhet me pyetë komandantin e vet çka me ba me ne. Kur foli me radio-lidhje, ai i tha: ‘Vrajini krejt përnjiherë’. Nji ushtar që ish te dera, nisi me na gjujtë me automatik M-48, e mue më plagosi në kambë të majtë. Atëherë unë u rrëzova, e përsipër më ranë të dekun Ibër Kelmendi me vëllaun tem Halim Gashin. Qai ushtari, para se me na gjujtë, bërtiti: ‘Në emën të Sërbisë!’ Atëherë, krejt ushtarët nisën me gjujtë nëpër dhomë. Mbasandej, ia vunë flakën shpisë edhe u nisën m’u tërhjekë. Unë u zhagita përfundi trupave edhe kuptova që kurrkush tjetër prej grupit tem nuk ish ma gjallë».6
Grupin e dytë prej nëntë burrave, pjesëtarët e forcave sërbe-jugosllave e futën në shtëpinë e Demë Gashit, ku shpëtoi vetëm Rexhë Kelmendi, i cili në intervistën për magazinën Time, pohon:
«Mue më çuen me grupin e dytë qaty poshtë… isha vetë i teti. Kur himë në korridor të shpisë, nji ushtar na e dha nji shkrepëse e na tha me e kallë shpinë. Kur u kërrusa me marrë shkrepësen, ata nisën me gjuejtë. Unë mandej shkojsha kambë e duer, pa e çue kryet».7
Kelmendi arriti më vonë të ikte në dhomën tjetër dhe të dilte nga dritarja.8
Grupin e tretë prej 10 burrave e tubuan në shtëpinë e Sahit Gashit. Mbasi i urdhëruan të uleshin në dysheme, nisën të shtinin mbi ta, e në fund i dogjën trupat e të vrarëve.9 Hazir Berisha, i mbijetuari i këtij grupi, për hulumtuesit e HLC-së deklaroi:
«Gjujshin hiç pa ndalë. Ai që na gjujke ish i gatë e me ftyrë të lyeme. Mbasi më rroku, e pashë që mori nji plaf edhe e kalli. Mbasandej, e mori nji syngjer të madh, na e qiti përsipër edhe ia futi flakën».10
Sipas HRW-së, motivi për kryerjen e kësaj masakre mbetet i paqartë, ngase nuk ka dëshmi të pranisë së UÇK-së në këtë fshat, e as vrasje të ndonjë polici a ushtari sërbo-jugosllav.11 Fshatarët e Qyshkut pretendojnë se masakra u krye për shkak se Hasan Çeku, babai i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çekut, ishte nga fshati Qyshk.13 Sipas tyre, kjo është edhe arsyeja pse forcat sërbe-jugosllave e kishin vra Hasanin me të vëllanë Kadriun, e madje një bashkëfshatare e tyre deklaroi për HRW-në se policia sërbe ua kishte treguar fotografinë e Agim Çekut dhe u kishte thënë: ‘Për shkak të këtij po jua bëjmë këtë’.14
Gazetarët amerikanë Michael Montgomery dhe Stephen Smith, për hulumtimin e titulluar ‘Masakra e Qyshkut’, intervistuan 11 pjesëtarë të forcave sërbe-jugosllave, disa prej të cilëve kishin qenë të përfshirë në masakrën e Qyshkut. Njëri prej të intervistuarve, 20 e pak vjeçar, me pseudonimin Miodrag, thotë:
«Në Qyshk, u nisa drejt një shtëpie me një shok, V-në. Aty u bëmë bashkë edhe me një tjetër, K-në. Hymë në shtëpi. Brenda ishte një plak shqiptar. Ishte krejt vetëm, duke thithë llullë. Filluam ta kontrollonim shtëpinë, por V. iu kthye plakut. Plaku u bë sikur nuk po kuptonte sërbisht. Kuptohet, V. nisi të tallej me plakun e ta kërcënonte, dhe tipi u shtang krejt. V. vazhdoi ta provokonte, derisa plaku i tha, në sërbisht: ‘Lehtë e ke ti, se je i armatosur, e unë nuk jam.’ Prandaj, V. nxori një thikë dhe e gjujti plakun. E rroku në shpatull. V. i tha: ‘Tash je i barabartë, tash je i armatosur’. Mandej mbaroi punë me plakun. E qëlloi në kokë».15
Një tjetër i intervistuar, 30 e pak vjeçar, me pseudonimin Vaso, që kishte shërby në njësinë speciale taktike të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe kishte marrë pjesë në masakrën e Qyshkut, mes të tjerash thotë:
«Tash e pyes veten: A duhej të isha atje? A kisha qenë i çmendur? Po të dija çka di sot, ndoshta nuk do të kisha shkuar. Përsëri, kur përjeton trauma të rënda, është e vështirë t’i kuptosh gjërat. Unë eci rrugëve, vetëm. Eci gjithë ditën veç duke menduar. Ndonjëherë më duket se kisha të drejtë që shkova për të luftuar, e herë të tjera ndjej se kam gabuar. Pamjet e të gjitha atyre gjërave ende i kam në mend. Ende i shoh ata njerëz të pafajshëm duke vdekë. Shoh një luftëtar duke e vra një grua në sy të burrit dhe të fëmijës së vet. Është diçka që nuk do ta harroj kurrë… Ata njerëz duhet të ndëshkohen».16
Pas largimit të forcave sërbe-jugosllave nga Qyshku, fshatarët hynë në shtëpitë ku ishin ekzekutuar tri grupet e burrave, i mblodhën trupat që ende ishin duke u djegë dhe i fshehën. Tri ditë më vonë i varrosën në një varr masiv në qendër të fshatit, bashkë me trupat e të vrarëve të tjerë nëpër fshat.17
Ajshe Kelmendi nga Qyshku, e cila në masakër kishte humbë bashkëshortin dhe djalin, në dëshminë e dhënë në Gjykatën Speciale të Beogradit në shkurt 2012 kundër pjesëtarëve të Skuadrës së Ndërhyrjes 177 të Ushtrisë së Jugosllavisë, thotë:
«Na shtinë m’i gjujtë në tokë krejt çka kishim – dokumentet, paret, arin – e m’i qitë duert mbrapa kresë. Na ndanë në dy rreshta, njanin me gra e fëmijë, tjetrin me burra… Neve grave na çuen n’oborrin e njanës prej shpive, e burrat i futën nëpër dhoma. Krejt i pushkatuen prej mbrapa shpine, mbasandej i kallën shpitë me gjithë xhenaze».18
Të njëjtën ditë, sapo u larguan prej Qyshkut, forcat policore e ushtarake sërbe-jugosllave vazhduan për në fshatrat fqinje Pavlan e Zahaq.19 Sipas të dhënave të HLC-së, në fshatin Pavlan i vranë 28 shqiptarë, prej të cilëve 27 civilë të paarmatosur, kurse një figuron si i armatosur. Në fshatin Zahaq vranë 4 burra civilë të paarmatosur shqiptarë.20
Në tërësi, sipas të dhënave të HLC-së, rezulton se më 14 maj 1999 forcat sërbe kanë vra 43 veta në Qyshk, prej të cilëve dy figurojnë si persona të armatosur shqiptarë, kurse 41 si civilë të paarmatosur shqiptarë (më së shumti të vrarë kishte nga familja Gashi [14], pastaj Lushi [9] dhe Kelmendi [7]).21 Ndër civilët, një ishte femër, ndërsa 40 meshkuj; asnjëri nën 18-vjeçar dhe vetëm njëri mbi 65-vjeçar (69-vjeçar).
Më 2014, Gjykata Speciale në Beograd dënoi nëntë pjesëtarë të Skuadrës së Ndërhyrjes 177 të Ushtrisë së Jugosllavisë për vrasjen e më se 100 shqiptarëve të Kosovës në pranverë të vitit 1999 në katër fshatra të Pejës: Lubeniq, Qyshk, Pavlan e Zahaq.22
Ish-komandanti i Ushtrisë së Jugosllavisë, Toplica Miladinović, u dënua me 20 vjet burg për urdhërimin e komandantit të Skuadrës, Nebojša Minić, që t’i sulmonte fshatrat Lubeniq, Pavlan, Zahaq dhe Qyshk të Pejës. Të dënuarit e tjerë janë: Dejan Bulatović dhe Milojko Nikolić me nga 20 vjet, Ranko Momić me 15 vjet, Abdulah Sokić me 12 vjet, Srećko Popović me 10 vjet, Siniša Mišić me 5 vjet, si dhe Slaviša Kastratović dhe Boban Bogićević me nga 2 vjet. Ndërsa, Radoslav Brnović dhe Veljko Korićanin u liruan.23
Megjithatë, vetëm pas një viti, Gjykata e Apelit në Beograd e anuloi vendimin e mësipërm, duke e cilësuar ‘të paqartë dhe kontradiktor’ dhe duke e dërguar rastin në rigjykim.24 Rigjykimi po shoqërohet me vonesa e shtyrje të shpeshta të seancave dhe po vazhdon ende (2023).25
1 «Under Orders: War Crimes in Kosovo», Human Rights Watch, 2001.
2 Ibid.
3 Tahir Kelmendi, ICTY, 19.5.2009.
4 «Dossier: 125th Motorized Brigade of the Yugoslav Army», Humanitarian Law Center, 2010.
5 «Massacre at Cuska», by Michael Montgomery and Stephen Smith, February 2000.
6 «Dossier: 125th Motorized Brigade of the Yugoslav Army», Humanitarian Law Center, 2010.
7 Ibid.
8 «Kosovo Crisis – The Awful Truth», Time, 28.6.1999.
9 «Dossier: 125th Motorized Brigade of the Yugoslav Army», Humanitarian Law Center, 2010.
10 Ibid.
11 Ibid.
12 «Under Orders: War Crimes in Kosovo», Human Rights Watch, 2001.
13 Ibid.
14 Ibid.
15 «Massacre at Cuska», by Michael Montgomery and Stephen Smith, February 2000.
16 Ibid.
17 Tahir Kelmendi, ICTY, 19.5.2009.
18 «Prosecutor v. Vlastimir Đorđević», ICTY, 23.02.2011.
19 «Kosovo Memory Book», Humanitarian Law Center.
20 «Two Kosovo Albanians Witnessed Jackals Crime», BIRN, 21.2.2012.
21 «Kosovo Memory Book», Humanitarian Law Center.
22 «Serbian Fighters Jailed for Kosovo War Murders», BIRN, 11.2.2014.
23 Ibid.
24 «Serbian Fighters’ Kosovo Massacre Convictions Overturned», BIRN, 31.3.2015.
25 «Serb Soldier Given Alibi in Kosovo Wartime Massacre Trial», BIRN, 3.7.2023.
© Michael Montgomery
Harta që tregon vendet ku ka ndodhë masakra në Qyshk./ADMOVERE