Administratori kryesor i “BlackDB.CC”, që është tregu kriminal online, Liridon Masurica nga Gjilani, i njohur edhe si “@blackdb”, është ekstraduar nga Kosova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Masurica ngarkohet për mashtrim dhe vjedhje të identitetit të qytetarëve, teksa Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Gregory Kehoe, tha se mbi të rëndon një akuzë e komplotit për të kryer mashtrime me pajisje të qasjes dhe pesë akuza për përdorim mashtrues të 15 ose më shumë pajisjeve të qasjes së paautorizuara.
I njëjti është arrestuar nga autoritetet në Kosovë më 12 dhjetor të vitit 2024, ndërsa është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara në përputhje me traktatin e ekstradimit midis SHBA-së dhe Kosovës,
“Masurica bëri paraqitjen e tij të parë në gjykatën federale në Tampa më 12 maj 2025, përpara gjyqtares së Shteteve të Bashkuara, Lindsay Saxe Griffin, dhe u urdhërua të qëndrojë në paraburgim deri në fillimin e gjykimit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të shteteve të Bashkuara për Distriktin e Floridës, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, në njoftim thuhet se Masurica ishte administrator kryesor i “BlackDB.cc”, treg online kriminal që funksiononte nga viti 2018 deri tash së fundi, ku ofronte për shitje në mënyrë të paligjshme kredenciale të kompromentuara të llogarive dhe serverëve, informacione të kartave të kreditit dhe të dhëna të tjera personale të njerëzve, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe ata që ndodhen brenda Distriktit të Floridës.