Në zonën malore të Zapodit në Bashkinë Kukës, fletët e votimit janë transportuar drejt qendrave të votimit me mushka.
Në foto shihet se një mushkë e ngarkuar me materiale zgjedhore, në një terren të vështirë malor duke dërguar materialet zgjedhore në shkollën 9-vjeçare të fshatit Bele.
Sot më 11 maj 2025 qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të përcaktuar përfaqësuesit e tyre në parlamentin e ri. Janë 3.7 milionë shqiptarë, të cilët do të zgjedhin 140 të zgjedhurit e parlamentit. Procesi i votimit nisi në orën 07:00 dhe pritet të përfundojë në orën 19:00.
Në këto zgjedhje parlamentare diaspora voton për herë të parë është vota e diasporës, teksa ishin regjistruar 245.935 emigrantë shqiptarë.
Në garë për të siguruar shumicën e 140 ulëseve në Kuvendin e ri, janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të hapura dhe të mbyllura.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat për pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 14.
Që prej momentit kur u hapën qendrat në të gjithë vendin, raportohet se pjesëmarrja ka qenë 29.53% nga 2276 qendra votimi që kanë çuar informacionin në KQZ.
Krahasuar me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, ka një rritje me rreth 2.2% më shumë, ndërkohë që në zgjedhjet e përgjithshme të para katër viteve, pjesëmarrja deri në orën 14 ka qenë 35.62%.