Kryeministri polak Donald Tusk ka dënuar ashpër praninë e liderëve evropianë në paradë, duke deklaruar se “është e turpshme të jesh në një paradë në Moskë dhe të duartrokasësh Putinin”.
Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, shprehu zhgënjimin e thellë, para së gjithash, me veprimet e presidentit sllovak Robert Fico, i vetmi lider i një shteti anëtar të BE-së që shkoi në Moskë.
Si mund të qëndroni pranë njeriut që filloi këtë luftë me kaq shumë vdekje dhe vuajtje të panevojshme të njerëzve të pafajshëm? Ju jeni në anën e gabuar të historisë”, tha ajo.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron komentoi në mënyrë më diplomatike, duke shprehur dyshime për korrektësinë e një kursi të tillë veprimi, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Në të njëjtën ditë, Franca dhe Polonia nënshkruan një marrëveshje për të forcuar bashkëpunimin në çështjet e mbrojtjes dhe energjisë, duke përfshirë ndihmën e ndërsjellë në rast të një kërcënimi ushtarak, duke theksuar më tej angazhimin e tyre për sigurinë e përbashkët.
Ndryshe, prania e Robert Ficos dhe Aleksandar Vuçiqit në paradën ushtarake në Moskë ka tërhequr kritika të ashpra brenda BE-së, veçanërisht duke pasur parasysh luftën e vazhdueshme në Ukrainë.
Pjesëmarrja e tyre simbolizon një thellim të marrëdhënieve me Rusinë, gjë që bie ndesh me politikat e shumicës së vendeve evropiane që kërkojnë të izolojnë Moskën për veprimet e saj në Ukrainë.