Shtetet e Bashkuara pritet t’i ofrojnë Arabisë Saudite një pako armësh me vlerë dukshëm mbi 100 miliardë dollarë, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” gjashtë burime me njohuri të drejtpërdrejtë rreth çështjes, duke shtuar se propozimi po përgatitet që të njoftohet gjatë vizitës së presidentit Donald Trump në këtë shtet në maj.
Pakoja e ofruar vjen pasi administrata e ish-presidentit amerikan, Joe Biden, u mundua pa sukses që të finalizonte një pakt të mbrojtjes me Arabinë Saudite si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë në të cilën parashihej normalizimi i marrëdhënieve mes këtij shteti dhe Izraelit, raporton agjencia “Reuters”.
Në propozimin e Bidenit ofrohej qasje në armatim më të avancuar amerikan në këmbim të ndaljes së blerjes së armëve nga Kina dhe kufizimit të investimeve të Pekinit në Arabinë Saudite. Agjencia “Reuters” nuk mundi të përcaktonte nëse propozimi i administratës së Trumpit përfshin kërkesa të ngjashme.
Shtëpia e Bardhë dhe zyra për komunikim e qeverisë saudite nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes të ShBA-së tha: “Marrëdhënia jonë e mbrojtjes me Mbretërinë e Arabisë Saudite është më e fortë se kurrë më parë nën udhëheqësinë e presidentit Trump. Mbajtja e bashkëpunimit tonë të sigurisë mbetet një përbërës i rëndësishëm i kësaj marrëdhënieje dhe ne do të vazhdojmë që të punojmë me Arabinë Saudite për t’i adresuar nevojat e tyre në fushën e mbrojtjes.”
Në mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi i kishte lavdëruar shitjet e armëve në Arabinë Saudite, duke thënë se ato ishin të mira për vendet e punës në ShBA, transmeton gazeta “Nacionale”.
Prodhuesi “Lockheed Martin Corp” mund të ofrojë një varg sistemesh të avancuara të armëve, përfshirë aeroplanët transportues C-130, thanë dy prej burimeve. Një burim tha se kjo kompani gjithashtu mund të ofrojë raketa e radarë.
Prodhuesi “RTX Group”, i njohur më parë si “Raytheon Technologies”, gjithashtu pritet të luajë rol domethënës në pakon e propozuar, e cila do të përfshirë furnizime nga kontraktorë të tjerë të rëndësishëm amerikanë të mbrojtjes, si kompanitë “Boeing Co”, “Northrop Grumman Corp” dhe “General Atomics”, thanë katër prej burimeve.
Të gjitha burimet folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Kompanitë “RTX Group”, “Northrop” dhe “General Atomics” refuzuan që të komentonin. Kompania “Boeing” nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Një zëdhënës i kompanisë “Lockheed Martin” tha se shitjet ushtarake jashtë vendit janë transaksione mes qeverive.
Disa përfaqësues me pozita ekzekutive në kompanitë e mbrojtjes po e shqyrtojnë udhëtimin në Lindjen e Mesme si pjesë e delegacionit të presidentit amerikan, thanë tri prej burimeve.
Shtetet e Bashkuara e kanë furnizuar me armë Arabinë Saudite për një kohë të gjatë. Më 2017, Trumpi i propozoi këtij vendi shitje armësh me vlerë të rreth 110 miliardë dollarëve.