Pas më shumë se 150 ditësh qëndrese të pandërprerë në shesh, lëvizja studentore ka vendosur të ndryshojë strategjinë e aksionit të saj politik, duke kaluar në një kalendar të ri organizimi me dy tubime kombëtare çdo javë.
Organizatorët njoftuan se protestat do të zhvillohen çdo të mërkurë dhe të shtunë, në orën 14:00.Protesta e parë sipas kësaj skeme të re është thirrur për të shtunën, më 7 nëntor, në orën 14:00, përpara godinës së Ministrisë së Arsimit.
Në deklaratën e tyre zyrtare, studentët theksojnë se kalimi në këtë fazë vjen pasi pushteti vazhdon të injorojë kërkesën e tyre kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Deklarata e plotë e Lëvizjes Studentore: “Pas më shumë se 150 ditësh protestë të pandërprerë, pushteti në Shqipëri vazhdon të injorojë kërkesën e revoltës qytetare: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Autokracia ka lëshuar rrënjë të thella në Shqipëri dhe ne jemi të përgatitur për një betejë të gjatë. Prandaj, po hyjmë në një fazë të re organizimi. Për t’i dhënë rrjetit studentor dhe mbështetësve tanë mundësinë të japin maksimumin në çdo ditë proteste, studentët kanë vendosur se protestat tona kombëtare do të vijojnë dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë në orën 14.00, me një intensitet që nuk mund të injorohet.
Ne vijojmë të mbështesim protestat e tjera qytetare kundër qeverisë, kurdo që të organizohen ato. Lufta e shqiptarëve për demokraci vazhdon. Autokracia do të bjerë, ashtu siç ra edhe diktatura. Studentët n’protestë.”

