Avokatja e Diamant Gashit: Babai i tij ishte i tronditur nga përfshirja e të birit në rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika

Avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, përfaqësuese ligjore e Diamant Gashit – njëri nga të dyshuarit për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika – ka zbuluar detaje nga një takim me babain e klientit të saj, Islam Gashi.

Sipas saj, ai ishte tejet i tronditur dhe i befasuar kur mësoi për përfshirjen e të birit në këtë rast.

“Dje te unë ka ardhur babai i Diamant Gashit, Islam Gashi, një burrë që nuk e kam njohur më parë. Është takuar me mua dhe kemi arritur një marrëveshje për këtë fazë fillestare të mbrojtjes, për shkak se ishte shumë i befasuar që edhe djali i tij ishte përmendur në këtë grup,” deklaroi avokatja Gashi-Bytyqi në RTVDukagjini.

Ajo shtoi se gjatë bisedës, Islam Gashi kishte shprehur qartë zhgënjimin dhe ndjenjën e përgjegjësisë për situatën.

“Ndër të tjera më tha: ‘Nëse edhe një për qind djali jem është i ndërlidhur me këtë çështje, lëre që nuk do të vazhdoj me ty, por as brenda nuk do ta lejoj.’ Kështu e kishte ndërgjegjen, sepse kjo nuk është vetëm vrasje e një individi, por e një institucioni të tërë. Muhamed Lika ka qenë koleg me të në të kaluarën si pjesëtarë të Policisë.”

Rreshteri Muhamed Lika u vra ditë më parë në një incident që ka tronditur opinionin publik, ndërsa autoritetet janë duke vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here