Ekzistojnë 2 mënyra për të dalë nga ngërçi aktual. E para është lufta.
“Bota e vjetër po vdes, bota e re mezi po lind. Sot është koha e përbindëshave!”- shkruante filozofi italian Antonio Gramsci në fund të Luftës së Parë Botërore. Një dëshmitar i rritjes së fashizmit në Itali, Gramsci kuptoi se tranzicioni mund të jetë i rrezikshëm. Bota gjendet sot në një situatë të ngjashme kritike.
Me fitoren e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ka marrë fund rendi liberal perëndimor i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Si do ta menaxhojnë këtë zhvillim Amerika, Evropa dhe pjesa tjetër e botës?
Mospërfillja e Trump për gjendjen e vështirë të të tjerëve do të jetë një problem për Perëndimin por edhe më i madh për vendet e Jugut Global. Shumë sfida dhe probleme na presin, por ne shpresojmë dhe besojmë se një botë e re, më e drejtë mund të dalë nga ky kaos dhe se kombet mund të ndërtojnë një rend të ri që e rinis bashkëpunimin global.
Po cilat janë leksionet që na duhen, për të ndryshuar kursin aktual të dominuar nga interesat personale të shteteve, drejt një bashkëpunimi ku përfitojnë të gjithë?
1. Shmangia e Luftës së Tretë Botërore
Ekzistojnë 2 mënyra për të dalë nga ngërçi aktual. E para është lufta, të cilën politologu i Harvardit, Graham Allison e sheh si normën historike për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy rivalëve. Nën administratën Biden, tensionet u ndezën dhe pati shqetësime se SHBA dhe Kina po shkonin një lufte mbi Tajvanin, por të dyja palët u tërhoqën.
Edhe Putin trembi me skenarin e një luftës bërthamore për të penguar mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Mënyra e dytë është të mësojmë nga shekujt e kaluar të fuqive të mëdha që përpiqen të jetojnë së bashku në paqe dhe t’i zbatojnë ato në marrëdhëniet ndërkombëtare sot.
SHBA-ja duhet të kuptojë se hegjemonia globale nuk është e qëndrueshme. Kostoja për ruajtjen e saj, do të ishte falimentimi i brendshëm dhe konflikti jashtë vendit, që ndoshta do të përfundojë në një Holokaust bërthamor. Shtetet e Bashkuara do të mbeten një fuqi e madhe, por me kalimin e kohës duhet të njohin Kinën dhe Rusinë si lojtarë legjitimë, duke e pranuar se bota është shumëpolare dhe që Amerika nuk mund të diktojë më e vetme të gjitha rregullat.
Një ekspert i marrëdhënieve SHBA-Kinë, ka sugjeruar që Uashingtoni të deklarojë se e miraton bashkimin e Tajvanit me Kinën nëse ndodh në mënyrë paqësore. Lindja e Mesme është ndoshta sfida më e vështirë, duke pasur parasysh numrin e lojtarëve dhe luftërat e gjata.
Aneksimi i territoreve palestineze do të nxisë trazira shtesë. Pesë milionë palestinezë nuk mund të shtypen përgjithmonë. Hamasi dhe Hezbollahu s’ka gjasa të zhduken, edhe pse janë dobësuar shumë. Zgjidhja e vetme është vetëqeverisja palestineze në Bregun Perëndimor dhe Gaza.
2 . Bashkëpunim në vend të konkurrencës
Përpjekjet për zbutjen e ndryshimeve të klimës dhe përshtatjen ndaj tyre, ofrojnë një tjetër mundësi për të ripërtërirë marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe ndërtuar besimin. Kjo duhet të jetë një përpjekje mbarëbotërore, pasi suksesi varet nga ajo. Roli i Kinës në teknologjinë e gjelbër e bën jetik bashkëpunimin e saj.
Shtetet e Bashkuara i frikësohen një zgjerimi të monopolit të Kinës në prodhimin e baterive, dhe duan që vendet perëndimore të zhdukin nga çdo varësi nga Kina dhe prodhojnë vetë bateritë e tyre. Në vend që të konkurrojnë me njëra-tjetrën, disa inovacione kyçe teknologjike duhet të ndahen si të mira publike për të mirën e të gjithëve. Kina është bërë lidere globale e energjisë së rinovueshme gjatë dekadës së fundit, dhe pritet t’i tejkalojë që në këtë vit objektivat e saj në fushën e energjisë diellore për 2030-ën.
Rusia ka potencialin më të madh për energjinë diellore, të erës dhe asaj bërthamore, por mbështetja e saj tek të ardhurat e naftës dhe gazit për të financuar luftën në Ukrainë, është një pengesë e madhe për tranzicionin e energjisë së gjelbër. Në vend të konfrontimit, nevojitet më shumë bashkëpunim për të trajtuar ndryshimet klimatike globale si dhe për të parandaluar një krizë tjetër financiare.
3. Shmangie e krizës së ardhshme financiare
Në botën e sotme shumëpolare, do të duhet sërish koordinimi ndërkombëtar për të shmangur thellimin e pabarazive makroekonomike, të cilat kanë potencialin të shndërrohen në kriza. Këto rreziqe ishin të dukshme edhe gjatë krizës globale ekonomike dhe financiare të viteve 2007-2008.
Pabarazitë janë në rritje dhe nuk do të reduktohen nga tarifat e Trump dhe shkëputja e zinxhirëve të furnizimit, por nga proceset afatgjata të rregullimit strukturor. Vendet me tepricë si Gjermania dhe Kina duhet të kursejnë më pak dhe të konsumojnë më shumë. Një veprim i tillë i Gjermanisë do të forconte edhe unitetin politik të Evropës. Vendet me defiçit si Shtetet e Bashkuara, duhet të kursejnë më shumë dhe të zvogëlojnë deficitet dhe borxhin e qeverisë, të cilat gjithashtu po nxisin çekuilibrat makroekonomikë.
4. Një sistem shumëpalësh më përfaqësues
Ndërsa anëtarësimi në OKB, është rritur nga 51 në 185 vende, vendet e Këshillit të Sigurimit janë rritur vetëm nga 11 në 15 që nga mesi i viteve 1960. Pesë anëtarët e përhershëm ishin fitues në Luftën e Dytë Botërore, dhe secili ruan të drejtën e vetos. Pa një reformë në KS dhe institucionet e tjera shumëpalëshe, vendet në zhvillim do të priren të kenë më shumë shpresë dhe besim tek organet e themeluara nga Rusia dhe Kina, si BRICS, ku zëri i tyre ka më shumë gjasa që të dëgjohet. Reforma s’ka të bëjë vetëm me shmangien e luftërave; por edhe me krijimin e një të ardhmeje ku prosperiteti, siguria dhe qëndrueshmëria e përbashkët bëhen themeli i një rendi të vërtetë global. Alternativa nuk është thjesht dështim, është kolapsi i gjithçkaje që vlerësojmë./“National Interest”