Një grua ka humbur jetën pasditen e së enjtes, më 11 prill 2025, pasi ka rënë nga një objekt në lagjen ‘Lakrishtë’ të Prishtinës.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se vdekja e viktimës është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.
Sipas njoftimit të saj, rreth orës 16:00 Policia është informuar për rastin dhe menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen si dhe po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, tha Ahmeti.
Rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet janë në proces të mbledhjes së provave dhe deklaratave të dëshmitarëve në vendin e ngjarjes.