Polonia, Lituania, Letonia e Estonia – anëtare të NATO-s – planifikojnë që të tërhiqen nga Konventa e Minave Tokësore Kundër Personelit, e njohur edhe si Konventa e Otavës, për shkak të kërcënimit ushtarak nga Rusia fqinje, thanë të martën këto katër shtete.
Tërheqja nga traktati i vitit 1997, i cili është ratifikuar ose zbatuar nga më shumë se 160 shtete por jo nga Rusia, do t’i lejojë Poloninë dhe tri shtetet baltike që ta fillojnë grumbullimin e rezervave të minave tokësore përsëri, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Kërcënimet ushtarake ndaj shteteve anëtare të NATO-s që kufizohen me Rusinë dhe me Bjellorusinë janë rritur në masë domethënëse” – thanë në një deklaratë të përbashkët ministrat e mbrojtjes të këtyre katër shteteve.
“Me këtë vendim, ne po dërgojmë një sinjal të qartë: vendet tona janë të përgatitura dhe mund të përdorin secilën masë të nevojshme për t’i mbrojtur nevojat tona të sigurisë” – thuhet më tej në deklaratë.
Tërheqja e planifikuar synohet që të lejojë mbrojtje efektive të kufijve të rajonit, tha në një deklaratë të veçantë ministrja e Mbrojtjes e Lituanisë, Dovile Sakaliene.
Finlanda tha në dhjetor se gjithashtu ishte duke e shqyrtuar tërheqjen nga kjo marrëveshje ndërkombëtare për shkak të përdorimit të minave tokësore nga Rusia në Ukrainë./Nacionale