“Ka përparësitë e veta të qenit vetëm”, poezi nga Charles Bukowski

“Ka përparësitë e veta të qenit vetëm”, poezi nga Charles Bukowski
Poezi nga Charles Bukowski

po

pa marrë parasysh me kë jam
njerëzit më thonë gjithmonë,
a je ende me të?

lidhja ime tipike zgjat
dy vjet e gjysmë.
pavarësisht luftërave
inflacionit
papunësisë
alkoolizmit
kumarit
dhe nervozizmit tim të zvetnuar,
mendoj se po ia dal mjaft mirë.

më pëlqen të lexoj gazetat e së dielës në shtrat.
më pëlqejnë kordelet e portokallta lidhur rreth qafës së maces.
më pëlqen të fle ngjitur një trupi që e njoh mirë.

më pëlqejnë këmishat e brendshme në ngjyrë të zezë në këmbët e shtratit tim
deri në orën 2 të pasdites.
më pëlqen të shoh se si dolën fotot.

më pëlqen të më gjenden pranë për të kaluar festat:
4 Korrikun, Ditën e Punës, Halloween-in, Ditën e Falënderimeve,
Krishtlindjet, Vitin e Ri.
ato dinë si t’i vozitin këto rrëmbesa
dhe kanë më pak frikë nga dashuria sesa unë.

ia dalin të më bëjnë të qesh kur humoristët zanatçinj nuk munden.

dhe mandej shkojmë të blejmë gazetën së bashku.

ka përparësitë e veta të qenit vetëm
por ka një ngrohtësi të pazakontë në të mos qënit i tillë.

më pëlqejnë patatet e kuqe të ziera.

më pëlqejnë sy e gishta
më të mirë se të mitë
që mund të zgjidhin nyjet e lidhëseve të këpucëve.

më pëlqen ta lë të vozitë makinën në mbrëmjet e errëta
kur rruga dhe udhëtimi më rëndojnë,
radioja e makinës në punë
ndezim cigaret dhe bisedojmë
dhe herë pas here
bëhemi të heshtur.

më pëlqejnë karficat e flokëve mbi tavolinë,
në dysheme.
më pëlqen të shoh muret e zakonshëm
njerëzit e zakonshëm.

nuk më pëlqejnë zënkat e marra dhe të kota që shpërthejnë ngaherë
dhe e përbuz veten në këto çaste
kur nuk jap asgjë
kur nuk kuptoj asgjë.

më pëlqen shpargu i zier
më pëlqejnë rrepkat
preshi.
më pëlqen ta shpie makinën në lavazh.
më pëlqen kur fitoj dhjetë dollarë për një bast gjashtë me një.
Më pëlqen që radioja ime të luajë gjatë gjithë kohës
Shostakovich-in, Brahms-in, Bethoven-in, Mahler- in.

Më pëlqen kur dëgjoj një trokitje në derë dhe është ajo.

pa marrë parasysh me kë jam
njerëzit më thonë gjithmonë,
a je ende me të?

duhet të mendojnë se i varros të gjitha
në kodrat e Hollivudit.

Ujdisi shqip Rielna Paja

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here