Një ngjarje tragjike ka ndodhur të shtunë në lagjen Arbëria të Prishtinës, ku një person është gjetur pa shenja jete brenda një banese. Sipas burimeve të Nacionales, viktima është Mentor Palokaj, vëllai i reperit të njohur Viktor Palokaj, i njohur ndryshe si “Unikkatil”.
Nacionale ka mësuar përmes burimeve se shkaku i vdekjes mund të ketë qenë mbidoza, por kjo pritet të konfirmohet nga ekspertiza mjekësore.
I njëjti burim tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur substanca narkotike, përfshirë kokainë dhe marihuanë.
Sipas njoftimit zyrtar, policia ka pranuar informacionin rreth orës 18:00, ndërsa ekipi mjekësor që ka dalë në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e tij.
“Sot rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në një banesë në lagjen Arbëria në Prishtinë.
Viktimë në këtë rast është një mashkull (1983), vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.” – thanë nga Policia e Kosovës për “Nacionale”.
Autoritetet thanë se lidhur me rastion hetimet janë duke vazhduar dhe po punohet për të zbardhur rrethanat e plota të rastit.
“Hetuesit policor në koordinim me prokurorin po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”.