Richard Caplan analizon veprimet e Trump ndaj Ukrainës – çka mund të pritet sipas tij në rastin ndërmjet Kosovës e Serbisë

Përplasja diplomatike në Shtëpinë e Bardhë, mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shtangu aleatët e tyre gjetkë. Udhëheqësit e BE-së nxituan të rikonfirmonin mbështetjen për Kievin, duke u zotuar se do të punojnë së bashku drejt paqes së qëndrueshme.

Transformimi i shpejtë i politikës amerikane vjen pas viteve të izolimit të Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe, pashmangshëm, shtron pyetjen: a mund të përballet Kosova me fat të ngjashëm në mosmarrëveshjen e saj me Serbinë? Disa analistë thonë jo, por, në të njëjtën kohë, sugjerojnë që Kosova të bëhet “më e dëgjueshme”.Richard Caplan, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit, thotë se Kosova ka qenë historikisht nën presion nga palët e jashtme, por se ka pasur vend në tryezë.

Sipas tij, vetë kosovarët mund të tërheqin paralele me ukrainasit, porse SHBA-ja ka interesa më të ulëta në mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi dhe kjo “i zvogëlon gjasat që Trump ta braktisë Kosovën, ashtu siç ka bërë me Ukrainën”.“Marrë parasysh se disa nga veprimet e Trumpit përshkruhen si transaksionale, ai mund të përpiqet të krijojë marrëdhënie me Kosovën dhe me Serbinë – të atilla që u përgjigjen më shumë interesave të SHBA-së, sesa interesave të komunitetit evropian apo të Ballkanit Perëndimor”, thotë Caplan.

Profesori Caplan thotë se Trump është vetëm në muajin e dytë të mandatit dhe se politika e tij e jashtme është ende duke marrë formë. Por, paralajmëron se sjellja e tij me Ukrainën duhet të shërbejë si sinjal për qasjen ndaj konflikteve të tjera të pazgjidhura, dhe t’i mbajë udhëheqësit së paku vigjilentë.

“Jam i sigurt se ukrainasit ndiejnë se janë shitur në shumë aspekte. Prandaj, janë të arsyeshme shqetësimet se Trump mund të bëjë kompromise mbi parimet, kur ato u shërbejnë interesave të tij të ngushta, interesave të SHBA-së”, thotë Caplan. /REL/

PUBLIKIMET E FUNDIT

Mot pranveror këtë javë

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here