Kurti i përgjigjet Grenellit: Kurrë më mirë nuk i kemi pasë punët me SHBA-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka komentuar deklaratën e emisarit për Misione të Posaçme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, i cili para disa ditësh kishte thënë se retorika e Kurtit se është i afërt me ShBA-në është e rreme.

Në një intervistë që ka dhënë së fundmi për një televizion lokal, Kurti është pyetur për deklaratën e fundit të Grenellit dhe është përgjigjur duke thënë “Çka me bo unë”.

“Çka me bo unë. Ti e din shumë mirë se tërë jetën time kam qenë aktivist e jo analist. I kemi këto studiot që i studiojnë se çka i tha kështu e pse e këqyri ashtu”, ka deklaruar ai.

Tutje, ai e ka kundërshtuar deklaratën e Grenellit, duke thënë se Kosova asnjëherë nuk i ka pasur punët më mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Punët kurrë ma mirë nuk i kena pas. Po blejmë helikopterë “Black Hawk” pas blerjes së sistemit ‘Javelin‘. Grantin më të madh Kosova najherë prej Amerikës e ka marrë gjatë mandatit tonë. Ne kemi bërë avancimin me Amerikën kur raportin me Amerikë nuk e kemi vetëm diplomatik por e kemi edhe në mbrojtje, e në zhvillim e edhe energji”, është shprehur Kurti për Istogu Channel.

Mes tjerash, ai tha se ndonjëherë mund të ketë kritika e vërejtje, por megjithatë duhet të ecim përpara.Këto deklarata të kryeministrit Kurti erdhën si një kundërpërgjigje ndaj Richard Grenell, i cili ditë më parë e ka kritikuar ashpër të parin e Qeverisë së Kosovës

“Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit.

Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje të SHBA-së të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump.

Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, kishte shkruar ai në platformën “X”.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here