Bashkim Ramosaj, i cili ka drejtuar Komunën e Deçanit me sukses për dy mandate si një nga kryetarët më të votuar në nivel vendi, tani kandidon për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me numrin 55.
Gjatë këtyre mandateve, Ramosaj ka realizuar projekte kapitale dhe ka punuar ngushtë me qytetarët, duke e shndërruar Deçanin në një model të zhvillimit lokal, sidomos në fushën e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës dhe turizmit. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit komunale dëshmojnë besimin e fuqishëm që votuesit kanë treguar ndaj lidershipit të tij.
Ndërkohë, AAK me të cilën garon kryetari Ramosaj, synon një Kosovë të fortë ekonomikisht, të integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian. Programi i saj përfshin rritjen e mirëqenies së qytetarëve, forcimin e shtetit ligjor dhe thellimin e partneritetit me aleatët ndërkombëtarë, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke vlerësuar rolin e madh që luajnë në terren, AAK ka vendosur që kryetarët e komunave nën udhëheqjen e saj të garojnë për deputetë. Ndër ta është edhe Bashkim Ramosaj, i cili gëzon një mbështetje të fuqishme në Deçan dhe jo vetëm, falë rezultateve, punës së palodhshme dhe lidhjes së tij të afërt me qytetarët.
Në këto zgjedhje, AAK dhe NISMA garon me një listë të përbashkët, e cila dhe mban numrin 137. Ky koalicion ka përfshirë në listën e saj të kandidatëve për deputetë njerëz të dëshmuar, si në kohë lufte, ashtu edhe në kohë paqeje, me qëllim rritjen e mirëqenies së përgjithshme dhe mbrojtjen e interesit kombëtar.
Me këtë vizion të përbashkët, bashkimi i forcave politike AAK-NISMA, jo vetëm që do të jetë një ofertë e re dhe e qëndrueshme për Kosovën, por, bazuar edhe në sondazhe, do të jetë një befasi me fuqinë që do ta marrë në Kuvendin e Kosovës nga zgjedhjet e 9 shkurtit.