Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen të futen në telashe.
Një rast i tillë ndodhi të enjten përballë Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, ku shoferi i një veture po dyshohet se u sulmua nga shoferi i një autobusi.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për drejtuesin e autobusit të kompanisë ‘Fershped Reisen’ nga Ferizaj.
Bazuar në informacionet e para, i dyshuari fillimisht ia kishte zënë rrugën shoferit të një veture dhe më pas ka dalë dhe e ka sulmuar fizikisht.
Viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka rrëfyer në detaje se si ndodhi konflikti verbal me të dyshuarin që më pas eskaloi.
Si rezultat i denoncimit, një njësi policore ka intervenuar në vendin e ngjarjes dhe palët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Sulmi”./Sinjali