Pamje të turbullta të atyre që duken si dy aeroplanë të rinj ushtarakë kinezë me karakteristika tinëzare u shfaqën në internet të premten. Ekspertët e fushës së mbrojtjes thonë se ata ishin qartazi aeroplanë me dizajn të ri, por nuk kishte hollësi të mjaftueshme për konkluzione përfundimtare.
Të dy aeroplanët që shihen në pamje janë pa bisht, që do të thotë se ata kanë stabilizues vertikalë për mbajtjen e kontrollit. Aeroplanët e tillë mbahen stabilë përmes kompjuterëve që i interpretojnë urdhrat e kontrollit nga piloti, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Aeroplani më i madh prej dy dizajneve që shihen në qiell e ka pothuajse formën e diamantit, me tri hapësira për hyrjen e ajrit për motorët e tij. Aeroplani më i vogël ka formë më tradicionale, por pa bisht.
#BreakingNews: China’s next-generation (6th-gen) fighter jet made its first flight today at Mao Zedong's birthday.@clashreport pic.twitter.com/6bb3nbHtOH
— 浩浩隔座看(诚信互fo) (@haojun4231) December 26, 2024
Përderisa Kina po e modernizon ushtrinë e saj, këto dizajne “e shfaqin gatishmërinë e industrisë kineze të aviacionit për të eksperimentuar e për të bërë novacion”, tha Euan Graham, analist i lartë në Institutin Australian për Politika Strategjike.“Pavarësisht nga vlerat ose të metat, duket se është dizajn shumë origjinal. Ata meritojnë vlerësim për këtë dhe duhet ta shkundë vetëkënaqësinë e vazhdueshme se ShBA-ja dhe aleatët e saj gjithmonë e caktojnë ritmin” – shtoi ai.
Agjencia “Reuters” konfirmoi një video ku shihet aeroplani më i madh prej dy dizajneve të reja duke fluturuar mbi qytetin Chengdu duke e gjetur ngjashmërinë e ndërtesave, drurëve dhe logove me pamjet satelitore dhe fotografitë më të vjetra. Data e incizimit nuk mund të vërtetohej në mënyrë të pavarur.
Shtetet e Bashkuara kanë ndarë burime për zhvillimin e raketave dhe sistemeve të tjera të avancuara për ta frenuar Kinën në rajonin e Indo-Paqësorit. Uashingtoni rishtazi testoi një sistem për pengimin e raketave në ishullin strategjik të Guamit duke përdorur një radar të avancuar./Nacionalist