Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, njoftoi se Prokuroria Speciale i ka dërguar ftesë për t’u paraqitur në cilësi të dëshmitarit, Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Rasti për çka njoftohet të jetë ftuar Kurti si dëshmitar shkruhet të ketë bëjë me veprën penale të Nenin 414 të Kodit Penal, përkatësisht për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Qeveria e Kosovës e pa këtë si ndërhyrje në proces zgjedhor nga sistemi i drejtësisë, madje duke e lidhur edhe me zgjedhjet e kaluara ku Kurtit s’i ishte lejuar të kandidojë si pasojë e kryerjes së një vepre penale.
Të njëjtën gjë e bëri edhe Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili duke rishpërndarë postimin e Kryeziut, shkroi se “fushata fillon në janar” dhe pyeti “pse kjo nguti i nderuari prokuror”.
Siç shihet në numrin e lëndës, rasti del të ketë të bëjë me çështjen e Rezervave Shtetërore.
Postimi i plotë:
Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale.
Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor.