Në seancën e sotme të Kuvendit të Serbisë ka ndodhur përleshje fizike mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës. Në incident, përveç deputetëve, kanë marrë pjesë edhe ministrat e qeverisë, të cilët janë ndarë nga sigurimi parlamentar.
Kryekuvendarja serbe, Ana Bërnabiq, ka ndërprerë seancën, por incidentet në sallë kanë vazhduar edhe pasi ajo ka urdhëruar pushim.
Deputetët e opozitës serbe paraprakisht kishin paralajmëruar se do të bllokojnë punën e Kuvendit për shkak se kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, refuzoi kërkesën e tyre për caktimin e seancës për diskutimin e mosbesimit ndaj Qeverisë, pas aksidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor, ku u shemb çatia si pasojë e së cilës vdiqën 15 persona.
Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit Millosh Vuçeviq, si dhe përcaktimin e përgjegjësisë politike dhe penale për aksidentin, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.Incidentet nisën në momentin kur në sallë hynë kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe ministrat e qeverisë.
Deputetët e opozitës mbanin pankartat ku shkruhej “korrupsioni vret” dhe “ju janë gjakosur duart”, dhe me thirrjet “vrasës”.
Ata kanë vendosur edhe një pankartë me imazhin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilin janë pikturuar duart e tij me ngjyrë të kuqe.
Në pamjet e publikuara në mediat serbe, mund të shihet momenti i shpërthimit të dhunës në parlament.