Vriten gjashtë ushtarë izraelitë gjatë luftimeve me Hezbollahun

Gjashtë ushtarë izraelitë u vranë gjatë një përleshjeje me forcat e Hezbollahut, njoftoi të mërkurën ushtria izraelite, përderisa trupat u futën më thellë në jug të Libanit në kohën e shpeshtimit të dhunës, edhe pse disa zyrtarë shprehën optimizëm të matur për bisedimet rreth armëpushimit.

Përleshja ndodhi përderisa trupat izraelite lëvizën në vijën e dytë të fshatrave matanë kufirit, pasi ushtria tha se e kishte zgjeruar më tej operacionin tokësor në jug të Libanit. Kjo ishte ndër humbjet më të mëdha brenda një dite për ushtrinë izraelite që nga fillimi i operacionit në fund të shtatorit kundër Hezbollahut, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Ushtarët e vrarë u identifikuan si:

Kapiten Itay Marcovich, 22 vjeç;

Rreshter Sraya Elboim, 21 vjeç;

Rreshter Dror Hen, 20 vjeç;

Rreshter Nir Gofer, 20 vjeç;

Rreshter Shalev Itzhak Sagron, 21 vjeç;

Rreshter Yoav Daniel, 19 vjeç.

Të gjithë shërbenin në Batalionin e 51-të të Brigadës “Golani”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite.

Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë, ushtarët u vranë gjatë një shkëmbimi të zjarrit me të paktën katër operativë të Hezbollahut brenda një ndërtese në një fshat në jug të Libanit.

Të paktën një ushtar tjetër pësoi lëndime mesatare në incident.

Televizioni publik izraelit, “Kan TV”, raportoi se katër pjesëtarët e Hezbollahut në fund u vranë.

Kjo ishte dita e dytë më vdekjeprurëse për trupat izraelite gjatë operacionit në Liban, pasi tetë ushtarë ishin vrarë më 2 tetor.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here