Libani tha se sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 29 persona në mbarë vendin më 12 nëntor, në mesin e tyre edhe persona që ishin zhvendosur si pasojë e konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.
Sulmet kanë shënjestruar jo vetëm bastionet e Hezbollahut, sikurse janë ato në periferi të Bejrutit, por edhe zona ku ky grup, që mbështetet nga Irani, tradicionalisht nuk ka prani.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se në një qytezë në jug të Bejrutit u vranë të paktën 12 persona dhe u plagosën tetë të tjerë.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban tha se në ndërtesën që u shënjestrua po strehoheshin personat që kishin ikur nga bombardimet që Izraeli kryen në luftën kundër Hezbollahut.Hezbollahu është grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun ushtarak, por jo edhe grupin politik të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.
Ministria e Shëndetësisë tha se disa kilometra më në jug, në rajonin Alej, u vranë edhe tetë persona. Në jug të Libanit, Ministria e Shëndetësisë raportoi për sulme në Tefahta dhe Rumin, ku u vranë shtatë persona. Sipas autoriteteve libaneze, Izraeli ka kryer sulme edhe në rajonin Hermel, në Luginën Beka në lindje që gjendet në kufi me Sirinë, duke vrarë edhe dy persona të tjerë. Po ashtu Nabatijeh, qyteti më i madh në jug të Libanit, ishte cak i sulmeve të Izraelit.
Hezbollahu, ndërkaq, tha se ka gjuajtur raketa në një bazë ajrore afër Tel Avivit, pasi Izraeli kreu një valë sulmesh në Bejrut. Izraeli ka raportuar për dy viktima si pasojë e sulmeve nga Libani.