Mes Kosovës dhe Luksemburgut është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, përmes së cilit synohet të ofrohen projekte të reja për mbështetjen e sektorit privat me vlerë prej 25 milionë euro.
Këtë memorandum e nënshkruajtën zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Luksemburgut, Xavier Bettel, dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari.
Bettel tha se kjo vizitë e tij, pasqyron përkushtimin e Luksemburgut për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit.
“Që 11 vjet jam në politikë dhe dua t’ju them se keni miq edhe që janë shumë kilometra larg. Kosova që shoh sot nuk është e njëjta si e para 10 viteve, e as nuk do të jetë e njëjta pas 10 viteve”, ka thënë Bettel.
“Kjo është për ta dëshmuar në 25 vjet marrëdhënieve dhe miqësisë që kemi. Miqësi do të thotë të jemi të dobishëm aty ku mundemi. Kjo marrëveshje nuk është diçka e re, të gjitha ndryshojnë tash e 20 vite. Mund të themi se nuk është shpenzim por investim në të ardhmen, për ta parë potencialin”- shtoi ai në konferencë për media pas nënshkrimit të memorandumit.
Në emër të palës vendëse foli zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi. Ai tha se Dukati i Madh i Luksemburgut ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetës i palëkundur i Kosovës në të gjitha proceset tona shtet-ndërtuese.
“Përmes projekteve të ndryshme financiare Luksemburgu deri më tani ka investuar rreth 100 milionë euro në Republikën e Kosovës, duke kontribuar kështu në zhvillimin dhe progresin tonë ekonomik dhe shoqëror”- tha Bislimi.
Dy fondet në kuadër të memorandumit, sipas tij, kanë të bëjnë me inovacionin, e që më së shumti kanë të bëjnë me digjitalizimin.