Koreja e Veriut ka lëshuar atë që konsiderohet si “raketa e ndaluar”. Seuli dhe Tokio theksojnë se raketa balistike ndërkontinentale, e cila qëndroi në qiell për 86 minuta, bëri udhëtimin më të gjatë të regjistruar ndonjëherë, përpara se të binte në ujërat e vendit komunist në lindje, shkruan A2.
Sipas asaj që raportojnë mediat ndërkombëtare, duke cituar zyrtarë në Korenë e Jugut dhe Japoni, arma e fuqishme u ngjit 7 mijë kilometra lart, gjë e cila nënkupton se do të kishte përshkruar një distancë të konsiderueshme nëse do të lëshohej horizontalisht.
Testimi i raketës në fjalë ka shkelur sanksionet dhe ndalimet e vendosura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe vjen në një kohë kur tensionet me dy koreve ka arritur në një pikë mjaft serioze, raporton A2.
Seuli pati paralajmëruar më herët se Pheniani po përgatiste lëshimin e armës afër zgjedhjeve presidenciale amerikane të 5 nëntorit. Diktatori Kim Jong Un tha pas testimit se kjo “tregon vullnetin e ushtrisë për t’ju përgjigjur” atyre që i konsideron armiq.
“Konfirmoj se nuk do të ndryshojmë linjën tonë të zhvillimit të forcave bërthamore”, nënvizoi lideri i koresë komuniste.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsideruar lëshimin e raketës një “shkelje flagrante të shumë rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, përcjell A2.
“Kjo vetëm sa tregon që Koreja e Veriut vazhdon që të merret me zhvillimin e armëve të shkatërrimit në masë dhe programet e raketave balistike në vend të mirëqenies së popullit të saj”, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Menjëherë më pas, forcat ajrore Amerikane dhe ato të Koresë së Jugut zhvilluan një stërvitje me avionë lufte në qiell.