Hoxhaj e Haliti: Dy “ujqërit e vjetër” të PDK-së e kundërshtojnë koalicionin me VV-në

Enver Hoxhaj dhe Xhavit Haliti janë qëmoti në Partinë Demokratike të Kosovës. Madje, për shkak të jetëgjatësisë si deputetë, Hoxhaj e Haliti lirisht mund të quhen “senatorët e PDK-së”. Përtej jetëgjatësisë politike, këta dy deputetë të rëndësishëm të PDK-së e kanë të qartë kundërshtimin për një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.

Hoxhaj e Haliti nuk kanë ngurruar që ta shprehin publikisht në disa raste qëndrimin mospajtues për një koalicion mes PDK-së dhe VV-së. Istikamet deklarative të Hoxhajt e Halitit duket se tashmë janë të panegociueshme, përkundër darkës së muajit maj mes Memli Krasniqit, shef partiak i dy “ujqërve të vjetër”* të PDK-së”, dhe Albin Kurtit, kryetar i VV-së, e cila u lexua si “përafrim” mes dy partive më të mëdha në Kosovë.

Hiç më larg se para dy dite, Hoxhaj e ritheksoi kundërshtimin e tij për një koalicion me VV-në. Sipas Hoxhajt, Kurti është një aksident politik dhe “një koalicion mes VV-së dhe PDK-së” është “pothuajse i pamundur”.

“Nëse ne për 50 minuta merremi me dëmet e Qeverisë Kurti dhe tash pas 9 shkurtit të shoh një koalicion mes VV-së dhe PDK-së, unë e shoh pothuajse të pamundur. Nuk është problemi i vijave të kuqe, edhe i vijave të zeza e vijave të bardha. Tema është kjo, ndryshimi politik që ka ndodhur më 14 shkurt, ka qenë ndryshim për të keq. Ndryshimi që duhet të ndodhë më 9 shkurt, duhet të jetë ndryshim politik për të mirë dhe duhet të udhëhiqet qeveria e ardhshme nga opozita…Pas 9 shkurtit duhet të ndodhë ndryshim politik dhe ndryshimi politik duhet të jetë ritkhimi i opozitës në Qeveri dhe kjo do të ishte në interes të vendit. Ardhja e z. Kurti ka qenë një aksident, i cili nuk duhet të përsëritet më” – ka vlerësuar Hoxhaj, transmeton Nacionale.

Në të njëjtën linjë të argumentimit është edhe Haliti, i cili gjatë një paraqitjeje televizive qartazi ishte kundër koalicionit me VV-në.

“Në qoftë se fiton VV-ja, unë nuk jam ai që ia ndaloj dikujt. Qëndrimi im personal është që nuk duhet të hyjmë në koalicion me VV-në. Sepse, po hyri PDK-ja në koalicion me VV-në, do të dalë nga ai koalicion e rrudhur dhe e tkurrur më shumë se do parti të vogla që s’janë ekzistente” – tha kohë më parë Haliti në një emision në Tëvë1.

Sjellim ndër mend që gjatë një emisioni televiziv, Bedri Hamza, kandidat i PDK-së për kryeministër, nuk kishte vendosur vija të kuqe për koalicionin me VV-në.

“Në vitin 2019, këtu në Debat Plus, nuk kam vendosur vija të kuqe, pse? Të gjitha partitë janë të Kosovës. Partitë i votojnë qytetarët e Kosovës…Për mua koalicion i preferuar për shkak të programit, koncepte politike është më i pranueshëm me partitë në opozitë, me LDK-në. Me LV-në, për shkak të dallimeve konceptuale e të kaluarës, nuk është koalicion i preferuar” – kishte thënë Hamza.

Nuk dihet nëse PDK-ja dhe VV-ja do të arrijnë ndonjë marrëveshje politike për koalicion pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit 2025. Sidoqoftë, një gjë duket tashmë përbotërisht e njohur se Hoxhaj e Haliti do ta kundërshtojnë koalicionin me VV-në. Së paku, nga qëndrimet e tanishme të tyre.

* Togfjalëshi “ujqërit e vjetër” nuk ka ndonjë ngarkesë gjuhësore pezhorative. Në kontekstin e këtij shkrimi, togfjalëshi “ujqërit e vjetër” e simbolizon jetëgjatësinë politike të dy protagonistëve të këtij shkrimi, që nënkupton fuqi elektorale për zgjedhje e rizgjedhje si deputetë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here